Shkup, përfundoi Festivali “Akt Fest”

Me shfaqjen “Medea”, nga Teatri eksperimental i Tiranës “Kujtim Spahivogli”, përfundoi festival “Akt Fest”, i pari i këtij lloji në vend, i cili u realizua prej më 30 nëntor deri më 4 dhjetor në Shkup.

Marketing

Në përfundim të festivalit, Juria profesioniste nga Ndriçim Xhepa, Vehbi Qerimi dhe Shkumbin Istrefi ndanë edhe çmimet për aktorin më të mirë në rol kryesor, që i takoi Refet Abazit, aktorja më e mirë në rol kryesor u shpall Luiza Xhuvani, aktori më i mirë në rol joprotagonist – Luran Ahmeti, aktorja më e mirë në rol joprotagonist – Kristi Llesh dhe aktori i ri më i mirë sipas jurisë u shpall Bujar Ahmeti.

“Normalisht që ndjehem mirë kur të vlerësojnë kolegët për punën e bërë, edhe pse ne aktorët jemi si fëmijë në kontekstin e çiltërsisë, ne kënaqemi edhe me duartrokitjet e publikut. Unë jam shumë i gëzuar që pas një pauze shumë të gjatë, 15 vjeçare, u riktheva në skenën e Teatrit Shqiptar, me një vepër të jashtëzakonshme, siç është “Vdekja e Dantonit e Byhnerit””,- tha aktori, Refet Abazi.

“Vepra, vërtetë është një nga ato vepra që sa i do aq edhe të duan, së pari me duartrokitjet e publikut dhe së dyti edhe me vlerësimet e tilla. Aktori është një aktor i mirë, qoftë në kinema qoftë në teatër, momentin që është i vërtetë.”,- tha aktorja, Luiza Xhuvani.

Si rezultat i interesimit të madh të publikut gjatë 5 mbrëmjeve të “AKT FEST”, organizatorët thonë se që tani do të fillojnë me përgatitjet e festivalit për vitin e ardhshëm.

“Ne kemi dashur që edicioni i parë të jetë sa më i mirë që mundet, mendoj se Ministria e Kulturës do të shohë të arsyeshme që festivalin ta bëjë vjetorë, shpresojmë që gjithçka të shkojë si e më mirë dhe mendoj që vitin e ardhshëm do të kemi shumë e më shumë publik, pasi këtë vit kemi thyer një lloj barriere me numrin e publikut, edhe shfaqjet që kanë qenë në repertoare më herët kanë pasur publik të jashtëzakonshëm me numër, ashtu që mendoj se jemi në rrugë të mirë.”,- theksoi Romir Jakupi.

Gjatë 5 netëve të festivalit para publikut në Shkup u prezantuan shfaqjet “Kukulla”, “Vdekja e Dantonit”, “Jashtë bie borë”, “Arturo Ui”, dhe “Medea”, në të cilat kanë marrë pjesë aktorë nga vendi, Kosova dhe Shqipëria. Njëherit në shenjë solidarizimi gjatë festivalit u mblodhën donacione nga publiku për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Marketing