Ballina Lajme Maqedoni SHOQATA “TRADITA” E ORGANIZOI EDICIONIN XI TË MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

SHOQATA “TRADITA” E ORGANIZOI EDICIONIN XI TË MANIFESTIMIT KULTUROR “LIDHJA NA BASHKON”

Në organizim të Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” – Tetovë, më 10 qershor 2024, u mbajt Edicioni XI i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”.
Kjo veprimtari letrare-artistike u realizua në 146-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si një prej datave më të rëndësishme të historisë sonë.
Përvjetorët e Lidhjes në mbarë trojet shqiptare kryesisht shënohen nën siglën LIDHJA ËSHTË GJALLË, ndërsa Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, bazuar edhe në synimet programore, në porositë dhe në përfaqësimin gjithëkombëtar të delegatëve që morën pjesë në kuvendin e 10 qershorit të vitit 1878, është përcaktuar që këtë veprimtari ta cilësojë si Lidhja na bashkon.
Kryetari i kësaj shoqate, Mr. Selam Sulejmani, në fjalën e tij theksoi se manifestimi është një ngjarje kulturore në të cilën përkujtohen atdhetarët shqiptarë, përkatësisht personalitetet më të shquara të jetës politike shqiptare të Lidhjes së Prizrenit, si: Iljaz pashë Dibra, Ali bej Gucia, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Ahmet Koronica, Zija Prishtina, Mustafë pashë Vlora, sheh Mustafë Tetovën si dhe dhjetëra figura të tjera atdhetare.
“Programi politiko-ushtarak i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që kishte për synim mbrojtjen e trojeve etnike nga hordhitë pushtuese, hapjen e shkollave shqipe si dhe ngritjen kulturore, ishte një shtysë e fuqishme për organizimin e Kongresit të Alfabetit që u mbajt në Manastir në vitin 1908 dhe për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 në qytetin e Vlorës. Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Shqiptare, pasi me këtë vendim iu dha goditja e parë dhe serioze përpjekjeve të Stambollit që e cilësonte Lidhjen si një lëvizje me karakter islamik. Në Kuvendin e
Lidhjes u hodhën themelet e një organizate e cila që në ditën e parë të saj, pati një karakter unik atdhetar.
Studiuesit e historisë veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e konsiderojnë të një rëndësie jetike për luftërat e mëvonshme çlirimtare, për edukimin e popullit shqiptar me ndërgjegjen e lartë atdhetare, përmes shkollës shqipe, letërsisë shqiptare dhe publicistikës patriotike” – u shpreh Mr. Selam Sulejmani.
Në fjalën e tij, ai bëri thirrje që të afirmohet diversiteti kulturor dhe interkomunkimi, duke shtuar se njëherazi duhet të kujdesemi për vlerat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e identitetit dhe me mbajtjen gjallë të kujtesës për të kaluarën tonë plot sakrifica.
“Kultura, përkatësisht letërsia bashkëjetojnë me historinë, me një fjalë, e plotësojnë njëra-tjetrën.
Ata që e studiojnë letërsinë shqiptare, duke filluar nga letërsia e vjetër, kanë mësuar për fillimet e letërsisë sonë, por edhe për rolin e shkrimtarit i cili në periudha të caktuara është shndërruar në historian të vërtetë.
Dijetarë të njohur e afirmojnë mendimin se për njohjen e një populli apo të një epoke, nuk mjafton të lexohen vetëm historitë e shkuara për të. As historia e Francës në dhjetë vëllime nuk na jep një pasqyrë të qartë për jetën e shoqërisë franceze, pa romanet e Balzakut. Në një kohë zhvillimesh teknologjike, është e domosdoshme që ne t’u kthehemi klasikëve tanë, sepse vetëm përmes veprës së tyre ne mësojmë për ngjarjet dhe përjetimet.
Historinë e vërtetë të Skënderbeut nuk na e rrëfen inteligjenca artificiale, por vepra madhështore e Marin Barletit. Epokën më të ndritshme të kombit, Rilindjen Kombëtare nuk e mësojmë drejtë në Chat GPT, por në veprat e shkrimtarëve të kësaj periudhe, të prirë nga Naim Frashëri. Shqiptarët janë popull i lashtë dhe perëndimor, e këtë nuk na e thotë Tik-Toku, por argumentet që na i ofron historia dhe shkenca e albanologjisë. Për këtë arsye duhet të tregojmë kujdes dhe mos t’i ngatërrojmë burimet e përthithjes së informatave, ndryshe do të krijonim amulli kulturore që nuk na shpie askund” – deklaroi kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” – Tetovë. Në përmbyllje të fjalës së tij, ai ndër të tjera theksoi se ne sot vërtet jetojmë në një kohë kur kultura mund të gjendet në krizë, por në krizë nuk duhet të gjendet kurrë ideja për kulturën.
Manifestimin e përshëndeti edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Ai i përgëzoi organizatorët për këtë veprimtari kulturore që zhvillohet në një datë historike siç është përvjetori i Lidhjes së Prizrenit, duke shtuar se Universiteti është i hapur për bashkëpunim serioz me asociacionet, me shoqatat dhe me organizatat që kanë për qëllim mbajtjen gjallë të jetës kulturore dhe të veprimtarive të tjera më rëndësi publike.
Referatin kryesor për 146-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit e paraqiti, studiuesi i njohur, prorektori për Bashkëpunim ndërkombëtar i UT-së, Prof. Dr. Salajdin Salihu. Ai ndër të tjera nënvijëzoi se Lidhja e Prizrenit kishte një program gjithëpërfshirës. Ndikimi i saj pati shtrirje në gjithë hapësirën shqiptare dhe veçanërisht trevat e Kosovës dhe të Maqedonisë. Dokumentet historike dëshmojnë qartë se elita shqiptare nuk e shihte zgjidhjen e problemit pjesërisht, por tërësisht.
Ajo nuk mëtonte vetëm autonomi me shkallë shtetësie, por edhe krijimin e institucioneve të para shtetërore të një shteti që do të formohej më vonë.
Në kuadër të programit të manifestimit “Lidhja na bashkon” u nda edhe Çmimi kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2024. Biografinë arsimore-shkencore dhe artistike të profesor Muamer Sadikut – laureatit të këtij viti, ligjëruesit të Fakultetit të Arteve të UT-së, e prezantoi para pjesëmarrësve kryetarja e Komisionit për ndarjen e çmimit të sipërpërmendur, Prof. Ord. Nora Halimi.
Ajo e paraqiti në hollësi arsimimin, përvojën jetësore dhe veprimtarinë e përgjithshme artistike të profesor Muamer Sadikut, si: ekspozitat ndërkombëtare personale, ekspozitat kolektive, kolonitë artistike, pjesëmarrja në komisione të kulturës dhe çmimet e fituara.
Fituesi i Çmimit kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2024, Prof. Muamer Sadiku, ka lindur më
10.08.1963 në Çegran të Gostivarit, Republika e Maqedonisë. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje. Në vitin 1982 e kreu shkollën e mesme në gjimnazin ,,Pançe Popovski, në Gostivar. Në vitin 1998 diplomoi në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Fakulteti i Arteve – Dega e skulpturës. Studimet pasuniversitare i filloi në vitin 1998 në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve, në Degën e skulpturës nën drejtimin e mentorit Prof. ord. Agim Rudi, ndërkaq në vitin 2002 – magjistroi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i
Arteve, në Degën e skulpturës dhe mori thirrjen “Magjistër i Skulpturës”. Në vitin 2010 zgjidhet në thirrjen mësimore-profesionale docent, për lëndët Skulpturë 1, 2, 3, 4, në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në Fakultetin e Arteve, programi studimor – Arti Figurativ.
Në vitin 2013 zgjidhet në thirrjen mësimore-profesionale Prof. inordinar për lëndët Skulpturë 1, 2, 3, 4, në Universitetin Shtetëror tëtetovës, në Fakultetin e Arteve, programi studimor – Arti Figurativ.
Çmimin kombëtar “Ali Vishko” jepet për veprimtari jetësore dhe arritje të veçanta në lëmin e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare.
Në Edicionin XI të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” u mbajt Ora letrare “Shtigje poetike” dhe programi artistik, me ç’rast performuan: Flutura Mihalica – poezi, Shkëlzen Pajaziti- violinë dhe Nuhi Musa – çifteli.
Kjo veprimtari letrare-artistike që për çdo vit organizohet në Tetovë, u mbështet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga Universiteti i Tetovës, nga Komuna e Bogovinës dhe nga sipërmarrjet e njohura: Zgjimi Kompani, laboratori LAOR dhe kompania rajonale për montimin e skelave JU SM.

Marketing
Marketing
Exit mobile version