Shpenzimet për arsimin, më të ulëtat në dy dekada

Shpenzimet për arsimin arritën vetëm 2.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë vitit 2020, duke shënuar nivelin më të ulët të dy dekadave të fundit.

Duke vrojtuar shpenzimet publike për arsimin në raportin e tyre me PBB shihet se gjatë periudhës 2001 -2020 shpenzimet për arsimin ishin më të ulëtat gjatë vitit të kaluar, pasi përgjithësisht ato kanë qëndruar në nivelin 3%.

Marketing

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Arsimit gjatë vitit të kaluar shpenzimet për arsimin arritën në shumën prej 40 miliard e 748 milion lekë. Kjo shumë ishte sa 7.6% e totalit të shpenzimeve buxhetore të vitit 2020 dhe në nivelin 2.27% të PBB, së bashku me shtesat e fondeve të rimarra/trashëguara nga viti 2018 nga arkëtimi i tarifave të universiteteve.

Fondet për arsimin u pakësuan në aktin normativ të marsit 2020 me 1.23 miliard lekë, nga të cilat 1.1 miliard ishin në grupin e shpenzimeve kapitale dhe rreth 131 milion lekë në grupin e shpenzimeve korente.

Sipas kësaj ecurie Shqipëria, jo vetëm që nuk ka bërë përparime në detyrimet që kërkon anëtarësimi në BE për financimin e arsimit, por ka bërë hapa pas, për shkak të vështirësive që solli pandemia Covid-19. Kriteret e anëtarësimit në BE rekomandojnë financim të sektorit publik të arsimit më së paku 5% të PBB. Por vitin e kaluar nuk u përmbush as 50% e këtij objektivi.

Duke financuar më pak fonde për sektorin e edukimit Shqipëria nuk mund të përparojë në një model të ri ekonomik që i siguron asaj rritje të produktivitetit dhe fitimeve në ekonomi. Një forcë punë e mirëarsimuar konsiderohet si guri i themelit në drejtim të prosperitetit.

Shqipëria u renditet sipas UNESCO si një nga vendet me financimet më të ulëta buxhetore për arsimin, për rrjedhoje shkollat shqiptare nuk kanë ofrojnë logjistikën e mjaftueshme për të përçuar njohuritë tek nxënësit. Tani kur pandemia ka kushtëzuar mësimin në distancë, shkollat shqiptare në arsimin bazë dhe atë të përgjithshëm nuk kanë lidhje me internetin dhe kompjuterët.

Fondet për shpenzime kapitale për arsimin më 2020 ishin në masën 3 miliardë e 921 milion lekë ose rreth 10.3% e totalit të fondeve të planifikuara për sektorin e arsimit më 2020. Por me rishikimin e buxhetit fondet e rishikuara për investimet kapitale u ulën me 1.1 miliard lekë (mbi 9 mln euro), duke e çuar fondin total në vetëm 2 miliard e 751.4 milion lekë ose rreth 6.6% e fondeve të planifikuara për arsimin në 2020. Por edhe fondet e rishikuara me ulje nuk u realizuan.

Realizimi i shpenzimeve kapitale për 12-mujorin 2020, ndaj fondeve të rishikuara për 12-mujorin 2020 është në masën 2 miliard 673.3 milion lekë ose në masën 97.2% e fondeve të planifikuara për 12-mujorin 2020.