Disa njerëz janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në zjarrin që shpërtheu nga bombardimet në centralin bërthamor ukrainas, thotë Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës.
Punonjësit po monitorojnë uzinën e Zaporizhzhia për t’u siguruar që po funksionon në mënyrë të sigurt dhe nivelet e rrezatimit janë aktualisht normale, thotë ministria në një deklaratë në Facebook.
Por nëse procesi i ftohjes së karburantit bërthamor brenda njësive të energjisë nuk funksionon normalisht, mund të ketë dëmtime radioaktive në shkallë të gjerë.
“Mijëra njerëz – përfshirë civilët aktualisht nuk janë në gjendje të evakuohen në zonën pranë uzinës për shkak të bombardimeve dhe luftimeve të vazhdueshme”, thuhet në deklaratë.
Në përputhje me reagimin e presidentit ukrainas, ministria thotë se një fatkeqësi bërthamore në Zaporizhzhia mund të jetë më e keqe se aksidentet e mëparshme në centralet bërthamore – si në Çernobil dhe Fukushima.
“Rusia me vetëdije ka ndërmarrë një sulm të armatosur në lokacionin e energjisë bërthamore, një veprim që shkeli të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare brenda IAEA (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike)”, shton deklarata.
Ministria i kërkon komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojë për të detyruar trupat ruse të largohen nga zona, për të garantuar sigurinë e saj.