Shqipëri, nxënësit e arsimit parauniversitar rikthehen në bankat e shkollave

Nxënësit e arsimit parauniversitar do të kthehen në bankat e shkollave për ta vijuar mësimin normalisht. Ky vendim u mor pas propozimit që bëri Komiteti i Ekspertëve gjatë ditës së sotme në lidhje me rikthimin e plotë në skenarin e parë të procesit mësimor, propozim i cili u miratua nga Ministria e Arsimit.

Ky vendim do të vihet në praktikë nëpër shkolla që në fillim të javës tjetër, duke pasur gjithmonë primar respektimin e masave kundër COVID-19.

“Procesi mësimor për të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar nga klasa 1-12, do të zhvillohet në mjediset fizike të shkollave çdo ditë të javës, ndërkohë që të gjitha institucionet tona arsimore janë gati për këtë skenar që në fillim të javës tjetër duke ruajtur dhe respektuar rregullat e higjienës dhe distancimit fizik sikurse janë përcaktuar qartë nga MSHMS”¸ u shpreh Ministrja Kushi.

Marketing

Në lidhje me turnet mësimore, sipas Ministrisë së Arsimit u takon shkollave që të menaxhojnë mënyrën se si do të funksionojnë oraret.

Kanali i dedikuar “RTSH Shkolla” dhe platforma online “Akademi.al” do të vazhdojnë të jenë në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve për të mbështetur procesin mësimor.