Disa orë pasi Greqia refuzoi ndihmën e forcave zjarrfikëse shqiptare, qeveria “ka ndërruar mendje”, për shkak të emergjencës me flakët në vend.
Ministria e Mbrojtjes njofton se tashmë drejt vendit fqinj do të shkojnë 10 mjete zjarrfikëse dhe 50 zjarrfikës.
Top Channel mëson se ka qenë ministri i Mbrojtjes, Vassilis Kikilias, që ka kërkuar ndihmën nëpërmjet ambasadores shqiptare në Athinë, Luela Hajdaraga, për të shmangur mekanizmin e Bashkimit Europian për shkak të burokracive.
Më pas, Kikilias i ka telefonuar ministrit Niko Peleshi për të dakorduar nga të dyja palët nisjen e 10 makinave zjarrfikëse, dhe rreth 50 forcave zjarrfikëse dhe personel mbështetës.
Pritet që mjetet të kalojnë para mesnatës në pikën kufitare të Kapshticës dhe do të dislokohen në zonën e Aleksandrupolit për të marrë pjesë në operacionet e fikjes së zjarreve në këtë zonë.
Gjatë paradites, dy automjete zjarrfikëse dhe 9 punonjës të shërbimit të zjarrfikëses u nisën nga Maliqi dhe Korça me destinacion Aleksandropolinë. Por, pasi qëndruan për disa orë në hyrje të qytetit të Bilishtit, u kthyen mbrapsht nga pala greke.
Sipas deklaratave, shkaku i kthimit ishte “u plotësuan nevojat nga vendet e tjera”, ndërkohë që sipërfaqe të mëdha me pyje por edhe banesa, si dhe një zonë të mbrojtur në të cilën ndodhej një manastir, janë përfshirë nga zjarret masive ditën e djeshme.