Shqipëria tërhiqet nga marrëveshja për heqje të kufirit me Kosovën

Pas hapit të parë për një pikë të përbashkët kufitare, hapi i dytë ishte nënshkrimi i një marrëveshje më 29 dhjetor të vitit të kaluar mes Kosovës dhe Shqipërisë ku thuhej se brenda pak muajve këto dy shtete nuk do të kishin më kufi mes veti.

Marketing

Ndonëse në atë botë deklaratat e kryeministrit aktual Ramush Haradinaj, ishin se pret që brenda pak muajve kjo marrëveshje të jetësohet duke dhënë edhe një datë 2 prillin si ditë historike kur kufiri mes dy shteteve shqiptare nuk do të ekzistojë. E këto, duket se kanë mbetur vetëm deklarata të kohës dhe asgjë më shumë.

Ani pse edhe një javë na ndanë nga data e planifikuar, asgjë konkrete nuk ka në jetësimin e kësaj iniciative.

E krejt kjo pasi që aktualisht nga kjo çështje është tërhequr grupi punës nga pala e Shqipërisë. Mentor Tahiri, shef i kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës Ekrem Mustafa, ka thënë për arbresh.info, se për momentin ka një tërheqje nga grupi punës i Shqipërisë dhe nuk e dinë kur do të fillojnë punën përsëri për këtë çështje.

“Siç jeni në dijeni qeveritë e dy vendeve kanë nënshkruar në fund të dhjetorit, një marrëveshje e cila synon krijimin e pikave të përbashkëta kufitare dhe kontroll të përbashkët kufitar. Përgjithësisht është krijuar një frymë e tillë bashkëpunimi me të cilën është paraparë që të zbatohen lehtësira në kontrollin kufitar, ashtu që qytetarët të mos vonohen gjatë udhëtimit të tyre. Kjo nënkuptonte që varësisht nga fluksi në pikat kufitare, të aplikohen mënyra alternative të kontrollit dhe jo domosdo të ndalet një automjet me pasagjer. Për të zbërthyer të gjitha këto detaje, janë krijuar grupe punuese nga dy palët. Megjithatë aktualisht ka një tërheqje nga grupi punues i Republikës së Shqipërisë dhe nuk ka një datë të precizuar kur do të vazhdojnë punimet e grupeve punuese”, ka përfunduar ai.

Kjo marrëveshje e arritur në atë kohë pati ngjalluar reagime të shumta jo vetëm nga Serbia por edhe nga vetë ndërkombëtaret. Ne një formë kjo marrëveshje nuk ishte mirëpritur.

Madje ishte Komisioni Evropian ai i cili në kuadër të liberalizmit të vizave për Kosovën, kishte rekomanduar që të ketë kontrolle kufitarë mes Kosovës dhe Shqipërisë, thotë Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK.

“Rreth pikave kufitare në mes dy vendeve, kërkesa për kontrolle kufitare në dy anë të kufirit Kosovë – Shqipëri, ka qenë rekomandim i Komisionit Evropian në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Me konkretisht, gjatë misionit verifikues në korrik 2015, ekspertët e BE-së kanë kërkuar vendosjen e kontrolleve në të dy anët e kufirit në të gjitha pikë kalimet Kosovë – Shqipëri. Ky rekomandim nuk ka qenë kriter zyrtar i udhërrëfyesit por rekomandim në kuadër të bllokut 2 “Menaxhimi i migrimit dhe kufijve”, ka thënë Kryeziu.

Me gjithë kërkesat dhe reagimet nga të gjitha palët në atë kohë, por edhe tash sa herë që kjo çështje hapet, prapë se prapë janë qytetarët të cilët me ngulm kërkojnë një iniciativë të tillë. Të gjithë ata të cilët shkojnë në kufirin Vërmicë-Morinë, shprehen se një kufi i tillë, ndonëse tashmë kontrollohen vetëm nga njëra pala, nuk do të duhet të ekzistonte.

Sipas kalimtarëve dy vende, të cilat kanë një gjuhë dhe një komb, nuk do të duhet të kenë kufi. Ata shprehen se kjo vetëm sa ju vështirëson qarkullimin. Kujtojmë se pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Serbia kishte ngritur alarm tek ndërkombëtarët se po vazhdojnë përpjekjet drejtë “Shqipërisë së Madhe”.

Marketing