Shqiptari mbyll nënën dhe dy motrat dhe e kallë shtëpinë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Fierit në Shqipëri, e cila për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi familjare.

Marketing

Bëhet fjalë për një zjarr në një banesë në lagjen “8 shkurti” të këtij qyteti. Policia thotë se djali i shtëpisë, A. D.,45 vjeç, i cili vuante nga problemet mendore, i ka vënë zjarrin shtëpisë duke mbyllur brenda nënën e tij dhe dy motrat, por ai është konstatuar nga policia dhe është arrestuar.

“Në datën 26.10.2018, rreth orës 01:12, në lagjen “8 shkurti” Fier ka rënë zjarr në banesën e shtetases F. D. 69 vjeçe. Shërbimet e policisë dhe zjarrfikësja bënë të mundur nxjerrjen e familjarëve jashtë banesës dhe shuarjen e zjarrit. Nga hetimet paraprake rezulton se zjarrin e ka vënë shtetasi A.D, 45 vjeç, djali i 69-vjeçares F. D. i cili pasi ka vënë zjarrin ka mbyllur derën e jashtme dhe po largohej nga banesa, por u konstatua dhe u kap nga shërbimet e policisë”, sqaron policia.

Policia thotë se shtetasja F.D dhe vajzat e saj D.D, 38 vjeçe dhe B.D, 24 vjeçe, kanë shfaqur shenja asfiksie dhe u dërguan në Spitalin Rajonal Fier dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje./oranews

Marketing