Shtabi i krizës në komunën e Tetovës që menaxhon situatën lidhur me përhapjen e COVID 19 në territorin e Komunës së Tetovës sot mbajti mbledhjen e 5-të me radhë, me ç’rast informon si vijon:
1.Kërkesë nga Shtabi i krizës, Komuna e Tetovës deri tek Qeveria e RMV.
Duke marrë parasysh faktin se në Komunën e Tetovës ditëve të fundit është rritur dukshëm numri i personave të prekur nga COVID 19, Shtabi i krizës pranë komunës së Tetovës kërkon nga qeveria e RMV, të shqyrtojë dhe miratojë masat dhe kufizimet për territorin e Komunës së Tetovës, edhe atë:
Vendosja e masave më të rrepta për qarkullim të qytetarëve, më konkretisht, ora policore të fillojë nga ora 16:00 deri 05:00 gjatë ditëve të punës, kurse për fundjavë të vendoset ndalese e plotë e qarkullimit sipas shembullit të Komunës së Kumanovës;
Të vendoset kufizim i qarkullimit të qytetarëve nëpër rrugët e qytetit dhe hapësirat publike në numër jo më të madh se 2 persona në të njëjtën kohë;
Kërkojmë nga qeveria ta shqyrtojë mundësinë për të miratuar ndihmë financiare për ndërmarrjet komunale të themeluara nga komuna, me theks të veçantë Ndërmarrjen Publike Komunale e cila në këtë periudhë ka vëllim të shtuar të aktivitetit dhe punës kurse të hyra dukshëm të reduktuara.
Gjithashtu kërkojmë të sigurohen mjete financiare shtesë edhe për Njësinë Territoriale Kundër Zjarrit, për faktin se pikërisht këto njësi operative janë të angazhuara në teren në larjen dhe dezinfektimin e rrugëve, bartjen e mbeturinave si dhe kryerjen e aktivitete plotësuese që dalin nga menaxhimi i situatës me përhapjen e COVID 19 në territorin e komunës së Tetovës.
2.Sot me datë 06.04.2020 në territorin e Komunës së Tetovës dhe më gjërë nga testimet e bëra nga Instituti për shëndet publik është evidentuar edhe 1 rast i infektuar me COVID19, me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve deri në këtë moment është 30 persona. Gjithashtu me keqardhje informojmë se sot kanë ndërruar jetë edhe 2 qytetarë nga komuna e Tetovës të cilët paraprakisht ishin të infektuar me COVID19, me çka janë gjithsej 3 persona nga Komuna e Tetovës dhe komuna e Bogovinës që deri më tani kanë ndërruar jetë dhe kanë qenë të infektuar me COVID19. Numri i të infektuarve sipas komunave, në Tetovë dhe në komunat e rajonit të pollogut është si vijon:
-17 në komunën e Tetovës (2 kanë ndërruar jetë)
-5 në komunën e Tearcës
-4 në komunën e Bërvenicës
-2 në komunën e Bogovinës (prej të cilëve 1 person ka ndërruar jetë)
-1 në komunën e Zhelinës
-1 person nga Radovishi i cili dje nga Karantina Shtetërore në Kodrën e Diellit është transferuar në Radovish
3. Kërkojmë Banka Popullore që të marrë masa konkrete që bankat komerciale të adaptojnë orarin e punës në këtë gjendje të jashtëzakonshme, dhe të gjejnë mënyrë për dërgimin e pensioneve përmes postës me qëllim që të moshuarit të mos grumbullohen para pikave pagesore.
4.Apel deri tek qytetaret të cilët janë diagnostifikuar me Covid-19 apo kanë simptome tipike, të informojnë në mënyrë të drejtë dhe korrekte për personat me të cilët kanë pasur kontakte, me qëllim që këto raste të mund të identifikohen, testohen dhe më pas të trajtohen;
5.Te rriten kapacitetet e qendrës për Shëndet Publik me qëllim rritjen e numrit të testimeve të shpejta në masë, që të mund sa më shpejtë të identifikohet personat e infektuar dhe të njëjtit të izolohen dhe trajtohen.
6.Nga SPB Tetovë informuan se orari për lëvizje të kufizuar kryesisht respektohet nga qytetarët e komunës së Tetovës, kurse në 24 orët e fundit janë evidentuar 4 raste të qytetarëve që nuk kanë respektuar masat dhe rekomandimet e qeverisë, dhe ndaj tyre është ngritur procedure sipas nenit 206 tl Kodit Penal të RMV. Numri i personave me vendim për vetizolim në komunën e Tetovës është 13, kurse 121 persona janë me vendim për mbikqyrje shëndetësore.
7.Në hotelet e Kodrës së Diellit që shërbejnë si kapacitete për karantinë shtetërore, respektivisht në hotelet Arena Teteks, Kodra e e Diellit dhe Slavija janë të vendosur gjithsej 210 persona. Këto kapacitete posedojnë edhe me ekipe kujdestare mjekësore nga Spitali Klinik i Tetovës për të vëzhguar gjendjen e personave të karantinuar, ushqimi shërbehet në kohë, dezinfektimi bëhet sipas planit, mbeturinat grumbullohen nga ana e NPK Tetova sipas rregullave të veçanta për karantinat shtetërore dhe deri më tani gjithçka shkon sipas protokollit të definuar;
8.Edhe njëhërë apelojmë deri te qytetarët që të respektojnë rekomandimet shëndetësore dhe masat qeveritare. Të mbajnë distancën sociale, të evitojnë grumbullimin në grupe më të mëdha, të lajnë duart vazhdimisht si dhe pa nevojë të mos dalin nga shtëpitë e tyre. 2 javët në vazhdim pritet edhe rritja e numrit të të infektuarve deri në arritjen e fazës kulminante të kësaj pandemie edhe në vendin tonë. Prandaj bashkëpunimi dhe sjellja me përgjegjësi e çdo qytetari është e patjetërsueshme!” – thotë Arifi.