Shteti do të paguajë shpenzimet gjyqësore të qytetarëve me të ardhura të ulëta

Me Ligjin e ri për ndihmë juridike falas, që hyri në fuqi sot, qytetarët fitojnë ndihmë juridike falas dhe qasje të njëjtë deri te drejtësia – avokati, ndërsa të gjitha shpenzimet gjyqësore dhe administrative mbulohen nga buxheti.

Marketing

“Qytetarët të cilët kanë pozitë të pafavorshme financiare mund të drejtohen deri te Ministria e Drejtësisë dhe deri te njësitet e tyre rajonale dhe të kërkojnë që të jepet ndihmë juridike falas ose t’iu sigurohet avokat i cili do të paguhet nga Buxheti i Ministrisë. Risi në ligjin është se tani mbulohen të gjitha shpenzimet në lidhje me sigurimin e ndihmës juridike”, tha në konferencën e sotme për shtyp, ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska.

Ky ligj, siç theksoi, kontribuon drejtë ndërtimit të sundimit të së drejtës, por edhe përmban dimension human i cili nënkupton se mundësitë materiale nuk guxojnë të jenë pengesë për realizimin e të drejtave të qytetarëve.

Deskoska potencoi se me këtë ligj, qytetarët të cilët nuk kanë mjaftueshëm mjete financiare do të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre para gjykatave, para organeve administrative, por edhe para organeve të tjera shtetërore siç janë edhe Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit dhe institucione të tjera.

Ndihmën juridike falas qytetarët mund ta marrin për konteste pronësore-juridike, marrëdhëniet borxhlinj-kreditor, çështje nga sigurimi pensional dhe invalidor, përfaqësimi i viktimave të dhunës familjare, realizimi i ndihmës sociale, për konteste me kompani të sigurimit, etj.

Risi në ligjin, siç tha Deskoska, është se mbulohen të gjitha shpenzimet në lidhje me sigurimin e ndihmës juridike. Deri më tani nuk mbuloheshin taksat gjyqësore, shpenzime për ekspertizë dhe të ngjashme, që ishte pengesë për shumë persona që të marrin mbrojtje për shkak të shpenzimeve shtesë. Tani ajo pengesë është mënjanuar. Me ligjin e ri, përdoruesit e ndihmës juridike falas lirohen nga shpenzimet gjyqësore dhe nga shpenzimet për ekspertizë dhe kjo do të bëhet nga Byroja për Ekspertizë Ligjore falas.

Ligji parasheh dhënien e ndihmës juridike primare dhe sekondare. Ndihmën primare juridike e japin persona të autorizuar nga Ministria e Drejtësisë ose nga repartet rajonale të cilat janë prezente nëpër qytetet në brendi të shtetit. Ndihmë primare juridike japin shoqata të autorizuara. Deri më tani janë regjistruar shtatë shoqata të tilla.

Ndihmë primare juridike do të japin edhe klinikat juridike në fakultetet juridike. Duke filluar prej sot fakultetet juridike në shtatë universitetet e para të ranguara për regjistrim në klinikat juridike.

Ndihmën sekondare juridike e japin avokatët dhe ajo përbëhet nga përfaqësimi në procedurat qytetare dhe gjyqësore, në procedurat administrative para Fondit për Sigurim Shëndetësor, përfaqësimi në procedurën për debatin për trashëgiminë para notarit, përpilim i parashtresave të borxhliut para përmbaruesit dhe ngjashëm. Risi e këtij ligji është që ndihmë juridike falas marrin edhe viktima të veprave penale.

Ministrja e Drejtësisë i theksoi edhe kushtet të cilat duhet t’i përmbushë kërkuesi i ndihmës juridike falas, ndërsa ato janë nëse kërkuesi jeton vetë të ardhurat e tij mujore të mos jenë më të mëdha se rroga e përcaktuar minimale, nëse jeton në familje të ardhurat totale të mos jenë më të mëdha se rroga minimale e rritur për 20% nga rroga minimale për secilin anëtar individualisht. Kjo nënkupton 12.500 denarë plus 2.500 denarë ose gjithsej 15.000 denarë të ardhura mujore nëse janë familje dyanëtarëshe, ose 17.500 denarë për familje treanëtarëshe, 20.000 për familje katëranëtarëshe…

Ministrja e Drejtësisë i inkurajoi qytetarët të cilët i përmbushin kushtet për marrjen e ndihmës juridike falas që të drejtohen deri te repartet rajonale të Ministrisë së Drejtësisë, deri te shoqatat qytetare dhe theksoi se shpreson se së shpejti do të mund të drejtohen edhe deri te klinikat juridike të fakulteteve juridike.

Marketing