Një studim i ri nga 451 Research – një njësi e Inteligjencës së Tregut Global të S&P – anketoi 575 vendimmarrës të IT, nga industri të ndryshme. Studimi zbuloi se 67% e të anketuarve presin që politikat e punës nga shtëpia të mbeten në fuqi përgjithmonë ose të paktën për një periudhë të gjatë.
Kompanitë, përfshirë Twitter dhe Square tashmë i kanë udhëzuar punonjësit e tyre, të punojnë nga shtëpia përgjithmonë. Kjo politikë mund të ketë përfitime për punëtorët, në kompanitë që punojnë tërësisht online. Ata mund të ndjehen më të lumtur në përgjithësi dhe mund të kenë më shumë liri në transport dhe vendbanim.
Përsa i përket punonjësve, që mund të kthehen në zyrë, rikthimi i gjendjes normale është ende i largët. Sondazhi zbuloi se 20% e të anketuarve thanë se organizatat e tyre do të vazhdojnë të paktën edhe gjatë vitit 2021 me kushte të ndryshuara të punës – përfshirë punën në distancë, veshjet mbrojtëse dhe distancimin social.
“Një rikthim në normalen e vitit 2019 nuk do të jetë e mundur për kompanitë,” tha më herët John Beattie, një ekspert i rimëkëmbjes së fatkeqësive, për Business Insider.
Me masat e rrepta të sigurisë, që kërkohen për të rihapur zyrat, është e logjikshme që kompanitë nuk po nxitohen të rikthehen në normalitet.
Sondazhi zbuloi se rreth 19% e organizatave dëshirojnë t’i rikthejnë punëtorët sa më shpejt që të jetë e mundur, 25% planifikojnë të presin një muaj ose më shumë – dhe 24% nuk kanë ende një afat kohor për rikthimin në ambientet e punës.