Si do të ndahet “kulaçi” prej 250 milionë eurove?! Qyteti i Shkupit kërkon para për autobusë, por a do t’i marrë?

Të gjitha komunat, duke përfshirë edhe Qytetin e Shkupit kanë dorëzuar projekte në thirrjen publike të shpallur nga Qeveria për mbështetje financiare, me gjithsej 357 milionë euro. Afati për aplikim ka skaduar sot, ndërsa tani vijon periudha e shqyrtimit të projekteve nga ana e komisionit në ministritë kompetente, të cilat më pas deri te Qeveria duhet të dorëzojnë propozime se cilat projekte meritojnë mbështetje financiare nga këto 250 milionë eurot e premtuara. Në fazën e parë janë planifikuar 100 milionë euro.

Marketing

“Kemi projekte nga sfera për përmirësim dhe rikonstruktimin e rrjeteve të kanalizimit, sistemeve të kanalizimit, infrastrukturës rrugore, blerjes së mjeteve transportuese. Me të vërtetë jemi të kënaqur prej kapacitetit që e demonstruan komunat dhe prej interesit që e treguan në këtë thirrje”, tha Zllatko Perinski – ministër për Vetëqeverisje Lokale.
Qyteti i Shkupit sot dorëzoi aplikime për 20 projekte me fokus për përmirësimin e transportit publik, zhvillimin e infrastrukturës rrugore, mbrojtjes nga zjarret, higjienës publike, teknologjive informatike dhe digjitalizim si dhe në sferën e kulturës. Një nga projektet është blerja e autobusëve të rinj.

“Në sferën e trafikut, Qyteti i Shkupit dorëzoi 80 projekte për 80 autobusë ekologjik CNG dhe 15 autobusë elektrikë. Në sferën e mbrojtjes zjarrfikëse aplikuam për blerjen e automjeteve zjarrfikëse”, u shpreh Danella Arsovska – kryetare e Qytetit të Shkupit.

Edhe pse gjendja me transportin publik është katastrofë, megjithatë ka gjasa që ky projekt të mos pranohet për përkrahje financiare. Diçka të tillë në mënyrë indirekte paralajmëroi ministri Perinski në pyetjen nëse përmes përkrahjes financiare mund të blihen autobusë të rinj.

“Nëse e keni fjalën për atë që e thash para pak kohe në deklaratën time, nëse do të blihen autobusë të rinj, mendoj se ky nuk është qëllimi bazë, qeveria të blejë mjete bazë për ndërmarrjet komunale, por përkundrazi, të përmirësohet infrastruktura në suazë të vetëqeverisjeve lokale.
-A vlen kjo edhe për automjetet zjarrfikëse?
-I njëjti, i njëjti koment”, shtoi ministri për Vetëqeverisje Lokale, Zllatko Perinski.

Me skadimin e afatit për aplikim, fillon të skadojë periudha dhjetëditore ku komunat duhet ta dorëzojnë dokumentacionin mes të cilit edhe leje për ndërtim. Pastaj vijon periudha e vlerësimit, ndërsa paratë për projektet që do të pranohen për përkrahje financiare do të shpërndahen përmes Ministrisë për kulturë dhe turizëm, Ministrisë për transport, Ministrisë për politikë sociale, demografi dhe të rinj, Ministrisë për arsim dhe shkencë, Ministrisë për mjedisi jetësore dhe planifikim hapësinor dhe Ministrisë për sport.

Marketing