Si e harroi Ronaldo shokun e tij më të ngushtë, dikur talentin e ri portugez

Para se Cristiano Ronaldo të ishte emri më i famshëm jo vetëm në Portugali por edhe në botë, futbollisti tani më i famshëm i botës dikur njihej vetëm si Roni, një fëmijë i dobët në dukje që luante në Sporting CP, i cili ngacmohej vazhdimisht nga shokët e skuadrës për “ngasjen e Ferrarit”.

Marketing

Ai kishte ardhur nga vendlindja e tij, Madeira, një vend ishull, në përpjekje për të hyrë në njërin nga klubet më të mëdha të Portugalisë – por duket se mësimet nuk po i shkonin mirë.

Dënimi për mungesën e treguar në mësimet e akademisë ishte që të mbante një karrocë të madhe dhe të rëndë të plehrave – Ferrarin – jashtë stadiumit Jose Alvalade.

“Vuum, vuum”, do të përsërisnin ata, duke qeshur, ndërsa ai kryente detyrën e obligueshme. “Ja Roni, duke vozitur Ferrarin. Më shpejtë. Shpejto”.

Në retrospektivë, stërvitjet dukeshin ironike duke pasur parasysh se lojtari 33-vjeçar tani ka shumë makina sportive, sa të dëshirojë, dhe i cili shpejt do të bëhet një përfaqësues global i Ferrarit, pasi vulosi kontratën prej 105 milionë funtesh me Juventusin.

Por në atë kohë, ato tallje – dhe ngacmimet mbi theksin e tij ishullor – çuan në një pykë mes tij dhe shokëve të skuadrës. “Ai iu tha atyre, mund të qeshni sa të doni, por një ditë unë do të vozis një Ferrari dhe të gjithë ju do të më shikoni”, thotë Nuno Nare për Bleacher Report, ish-trajner i Sportingut.

Roni nuk ishte shumë aleatë në dhomën e veshjes. Kjo nuk ishte ideale për të, duke pasur parasysh faktin se ai nuk mund ta shtynte Ferrarin vetë. Për fat të mirë, Fabo Ferreira ishte një përjashtim.

Sikur Ronaldo, Ferreira ishte një lojtar i ri shumë i talentuar – për disa, ai ishte edhe më i mirë se Ronaldo. Ai ishte një sulmues i fortë me një fizik të fuqishëm dhe me një aftësi të mahnitshme për të shënuar, transmeton Gazeta Express.

“Ai kishte aq shumë fuqi, ishte shumë e vështirë të ndalej në situata një me një – me të vërtetë mahnitës”, kujton trajneri i të rinjve në Sporting. “Ai ishte definitivisht një nga shpresat tona më të mëdha. Kur ishte 15 vjeç, lirisht mund të thoshe se ishte ai, plus 10 lojtarë të tjerë në skuadër”.

Por lidhja mes këtyre dy lojtarëve kishte të bënte më shumë me ngjashmërinë e tyre jashtë fushës, sesa brenda saj. Edhe Ferreira ishte larg shtëpisë së tij – një vendas i Monte Gordo në Algarve – edhe ai përqeshej nga djemtë e Lisbonës për shkak të theksit të tij.

Përderisa shumë lojtarë të rinj në akademinë e Sportingut shkonin në shtëpi për vikend, Ronaldo dhe Ferreira qëndronin prapa në konvikt. Ata u bënë të pandashëm në atë kohë, duke ndarë jo vetëm dhomën por edhe punën me ngarkesa, madje edhe duke shtyrë Ferrarin bashkë.

Dy shokët e ngushtë dukej se po shkonin në drejtimin e njëjtë. Kur shënoi Ronaldo në debutimin e tij për Portugalinë, në një ndeshje miqësore U15 kundër Afrikës së Jugut më 2001, Ferreira festoi golin me të.

Dukej se një ditë këta dy shokë do të bëheshin yjet e Portugalisë në nivelin senior – se Ferreira do të bëhej bashkë sulmues me Ronaldon, një pozitë kjo që mungoi shumë në Botërorin e këtij viti në Rusi.

Por, kjo nuk ndodhi, pasi Ferreira përfundoi me një jetë mesatare në Algarve, një burrë që jeton duke punuar butak (gocë deti), pa u penguar kurrë nga paparacët ose tifozët. Kurse shoku i tij i ngushtë, u bë lojtari më i mirë në botë.

Në një moment, fati i dërgoi ata në rrugë të ndryshme. Rutina e Ronaldos ato ditë përfshinte një drekë dhe darkë në një restorant të quajtur Tobisbar, që ishte 15 minuta larg në këmbë nga Alvalade.

Është një vend i njohur ky për vendasit në lagjen Lumiar, në veri të Lisbonës. Të shkosh aty sot është lehtë dhe lirë, por në vitet e 90’a, ky restorant nuk pëlqehej shumë dhe ishte i njohur për rrahje mes grupeve të ndryshme të gangsterëve.

Kur shkoi një herë aty, Ronaldo u sulmua nga pesë djem të cilët e kërcënuan atë me thika dhe e akuzuan se kishte rrahur një anëtar të grupit të tyre. Ai u betua se nuk e kishte bërë. Por kjo nuk e shpëtoi nga grushtet.

Ronaldo po e thoshte të vërtetën, pasi ishte Ferreira ai që kishte sulmuar shokun e tyre. Kjo nuk ishte hera e parë që këta dy ishin ngatërruar nga të tjerët. Ronaldo dhe Ferreira shpesh dukeshin si vëllezër.

Ata ngjanin shumë me njëri-tjetrin, që të dy me flokë të shkurtra kaçurrele dhe gjithmonë bashkë. “Pasi nuk shkonin në shtëpi gjatë vikendeve, ata qëndronin në konvikt dhe u bënë shumë të afërt”, thotë Nare.

“Ata ishin fëmijë që dilnin gjithmonë bashkë, shokë të ngushtë, dhe nuk brengoseshin nëse konvikti nuk ishte më i rehatshmi në botë. Në vend se të ankoheshin për të, ata nxorën më të mirën prej tyre”.

Një sulmues i pensionuar, Carlos Salerio është nga gjenerata e njëjtë me Ronaldon dhe Ferreiran – dhe duhej të punonte më fort për të fituar një shans nga Sportingu, ndryshe nga dy talentët Ronaldo dhe Ferreira.

“Fabio ishte lojtar më i çmendur”, kujton Saleiro duke qeshur. “Siç themi ne në Portugali, ‘Ai bënte shumë porcaria (gjepura) në fushë, por s’kishte qëllim ta lëndonte askënd. Ai ishte më i papjekur dhe nuk kishte kaluar nëpër gjithë atë që kishte kaluar Ronaldo”.

Megjithatë, si lojtar, Saleiro konfirmon se Couto kishte aftësi më të mira. “Ferreira ishte disa hapa para Ronaldos, edhe pse gjënë kryesore – dëshirën për të qenë më i miri – ai nuk e kishte. Kjo e bënte dallimin për Ronaldon”.

Koordinatori teknik i Sportingut, Luis Martins, që punoi me ta si trajner, kujton se Ferreira merrte vëmendje më pozitive në fushë sesa Ronaldo, gjatë muajve të parë në klub.

“Ai ishte një lojtar i zonës së penaltisë, nuk i duhej shumë hapësirë për të shënuar, kishte një këmbë të fuqishme”, thotë Martins. “Ai ishte diçka si Fernando Torres, ndoshta si Jean-Pierre Papin. Cristiano luante prapa tij dhe i kërkonte atij që të vraponte nga ana e majtë në të djathtë, për t’ia dhënë topin atij sa herë që e dëshironte. Ai nuk humbte asnjë shans”.

Megjithatë, Martins shton se sjellja e Ferreiras jashtë fushës ishte një shqetësim që nga fillimi.

“Ai ishte një nga ata fëmijët që i thyejnë rregullat”, thotë ai. “Nganjëherë, ai nuk sillej mirë, nuk mund t’i evitonte konfliktet dhe mendonte se ishte mbi kodet tona”.

A do të mund të bëhej Ferreira partneri që aq shumë i mungonte Ronaldos në skuadrën kombëtare të Portugalisë është një pyetje që nuk do të marrë kurrë përgjigje dhe që do ta ndjekë atë për gjithë jetën e tij.

Ajo që dimë ne është se mes grupeve të U15 dhe U17, qendërsulmuesi nga Monte Gordo shënoi tre gola në 10 paraqitje ndërkombëtare. Kishte raste kur Ferreira rreshtohej bashkë me shokun e tij të ngushtë, tani lojtarin më të njohur në botë, në ngjyrat e skuadrës kombëtare.

Një nga këto gola ishte në Andorra, më 8 mars 2002, kur Portugalia luajti për një vend në finalet e Kampionatit Evropian Nën-17. Andorrasit pësuan 4 herë, me Ronaldon që shënoi dy herë dhe Ferreiran një herë.

Kjo ishte edhe hera e parë dhe e fundit që dyshja do të shënonin në ndeshjen e njëjtë për ekipin kombëtar. Ferreira nuk u thirr më asnjëherë nga kombëtarja. Gjashtë muaj më vonë, Ronaldo po festonte golin e tij të parë në nivelin senior, në një ndeshje për Sportingun kundër Moreirense në ligën portugeze.

Lojtari, atëherë 17 vjeç, u transferua në Mançester për 12.24 milionë funte po në atë verë. Përderisa Ferreira nuk ia doli të hynte në ekipin e parë. Çka shkoi keq për njeriun që dikur vlerësohej më lartë se Ronaldo?

“Dallimi kryesor mes tyre ishte prej qafës e lartë”, thotë Nare. “Kur Ronaldo arriti në Madeira, ai tashmë ishte atlet. Ne e gjenim atë duke bërë ulje-ngritje në konvikt dhe duke çuar pesha të rënda në palestër në ora 1 të mëngjesit. Ai nuk ndalonte kurrë së punuari dhe ngadalë u bë një futbollist i kompletuar”.

“Fabio mund të ketë shkëlqyer për një moment – ai ishte shumë i fortë, kishte muskuj, ishte më i gjatë – por nuk kishte sjelljen e njëjtë. Kjo ishte thelbësore”.

Salerio kujton se përparësitë e hershme që Ferreira i kishte ndaj bashkëmoshatarëve të tij u larguan shpejt.

“Kur ishim 13 vjeç, ndoshta 14, ai ishte një nga lojtarët më të gjatë të moshës tonë, ishte më i shpejtë, këmbët e tij ishin më të forta”, thotë Saleiro. “Ai ishte rritur më herët se të tjerët dhe shkëlqente në ndeshje. Megjithatë, pas një kohe, i gjithë ekipi u ngrit, dhe talentet e pastra – jo vetëm ato bazuar në përparësitë fizike – dolën në sipërfaqe”.

Mes gjithë këtyre, Ferreira kishte probleme jashtë fushës, të cilat rrënuan reputacionin e tij brenda akademisë së Sportingut. Me fjalë të tjera, ai e sabotoi veten e tij.

“Ai do të duhej të kishte një sjellje tjetër, ta merrte më seriozisht, të kishte një jetë normale”, thotë Couto, i cili ka një shtëpi në Monte Gordo, ku jeton ish-bashkëlojtari i tij. “Fokusi i tij sinqerisht nuk ishte në stërvitje”.

“Përderisa Ronaldo ishte ambicioz, Ferreira thoshte se tashmë veçse ishte shumë i talentuar dhe se nuk kishte nevojë të punonte për ta përmirësuar veten. Ai ka qenë gjithmonë njeri i mirë, por rrethohej nga njerëz të këqij. Atij i pëlqente të dilte natën, të bënte të ashtuquajturat porcarias dhe përfundoi duke mbetur i humbur. Kam besuar në të dhe i kam dhënë shumë shanse. Por, ai nuk stërvitej si të tjerët”.

“Më vonë, ai do ta kuptonte se e kishte çuar dëm potencialin e tij”.

Ngritja meteorike e Ronaldos prej debutimit të tij profesional më 2002 është mahnitëse. Ferreira nuk mund ta përballonte se sa shpejt shoku i tij po përparonte dhe e pa se ishte e pamundur ta zinte atë.

Papritur, ai nuk ishte më një nga talentët premtues të Sportingut por vetëm ish-cimeri i lojtarit më të mirë portugez që nga Eusebio. Thjeshtë një tjetër personazh në biografinë e ikonës globale.

Përveç problemeve disiplinore, Ferreira pa se karriera e tij po shkonte drejt fundit edhe për shkak të problemeve në gju që kërcënuan të ardhmen e tij në Alvalade.

“Ai ishte gjashtë muaj i lënduar”, kujton Martins. “Nuk jam i sigurt nëse i dëgjonte mjekët dhe i kushtonte vëmendje procesit të shërimit – është turp sepse ai kishte potencial. Pas kësaj, ai nuk ishte më lojtari i njëjtë”.

Ferreira nuk do ta kthente më kurrë karrierën e tij në rrugë të mbarë. Pas një sezoni lamtumirës me Sportingun më 2003-04, ai u tërhoq nga ndarjet gjysmë-amatore të Portugalisë, ku paga mesatare është rreth 580 euro në muaj, paga minimale e shtetit.

“Fabio u bë një burrë serioz dhe e kuptoi se shansi i tij kishte ikur”, thotë Couto. “Ai kishte alternativa, por nuk e bëri zgjedhjen e duhur dhe kurrë më nuk ishte një lojtar mahnitës. Nëse shikoni prapa, njëri kishte një karrierë që arriti nivelin më të lartë; tjetri do të mund të ishte po kaq i suksesshëm”.

Kur flasim për futboll, Ferreira e mbylli veten e tij për gjithë botën. Ai kuptohet se nuk i pëlqen ta kujtojë kohën kur luante bashkë me Ronaldon dhe lojtarët si Nani, Joao Moutinho, Silvestre Varela dhe Miguel Veloso.

Bleacher Report tentoi një muaj ta gjente atë dhe foli me disa njerëz në celular në përpjekje për ta gjetur atë, që edhe ai ta tregonte historinë e tij. Nëna e tij tha se ai ishte i sëmurë dhe i lodhur nga intervistat.

Të tjerët konfirmuan se ai nuk është i interesuar të flasë. Megjithatë B/R vendosi të pyeste. Monte Gordo është pesë orë larg me tren nga Lisbona, por sapo të arrish atje, nuk është e vështirë ta gjesh Ferreiran.

Të gjithë e njohin atë në këtë vend turistik, i cili tërheq turistë të shumtë, të cilët vijnë për diell dhe ushqim deti në rajonin Algarve. Në një dyqan futbolli në Avenida Infante Dom Henrique, zonën më të popullarizuar të kësaj zone, dy posterë të mëdhenj të Ronaldos me veshje të brendshme tërheqin vëmendje gjatë rrugës për në plazhin me rërë.

Ferreira nuk është i njohur në rajon për ditët e tij të mira në Sporting bashkë me fituesin e pesëfishtë të Topit të Artë, por për lidhjen e tij me Armenio Goncalves, pronarin e restorantit më të njohur në Monte Gordo, Tapas.

“Armenio ishte gjithmonë sponzori i tij në karrierë”, thotë Couto.

Ferreira punonte atje si kamerier pas pensionimit. Vëllai i tij më i madh, Angelo, ende punon aty. Dhe kur B/R e gjeti atë, ai tha që ta prisnin Fabion në një kafe në qendër të fshatit të vogël.

Ai tha se vëllai i tij ndalet aty të paktën dy herë në ditë për një filxhan kafe me miqtë. Ai u shfaq atje tri orë më vonë. I pyetur për intervistë, ai tha:

“Nuk preferoj të flas për karrierën time. Kam bërë tashmë shumë intervista dhe gjithmonë kam folur për gjërat e njëjta. Ka njerëz të tjerë që sot janë më të afërt me Ronaldon”.

Ferreira mbeti në kontakt me Ronaldon për më shumë se një dekadë dhe madje u ribashkua me të disa herë. Megjithatë, për arsye që ai s’i kuptoi kurrë, papritur thirrjet nga Ronaldo nuk u kthyen më.

Dy shokët që dikur ndanin dhomën dhe ëndrrat e njëjta, më nuk janë në kontakt dhe kanë jetë të ndryshme. Ferreira mund të ndalet ku të dëshirojë në mes të ditës dhe askush nuk do ta pengojë atë për një selfie.

Disa mund të shikojnë jetën e tij dhe të shohin si mund të ketë qenë, po të ishte ndryshe. Të tjerët mund të shohin llojin e anonimitetit që është një ëndërr për shumë futbollistë. Sido që të jetë, për Ferreiran, kjo është ajo që i solli fati.