Në pak sekonda, spinaqi çliron 55 përqind më shumë hekur të tretshëm se sa kur hahet i freskët. Foto: Flickr
Anemia si pasojë e mungesës së hekurit shoqërohet me një sërë simptomash të ndryshme.
Njerëzit që vuajnë prej saj zakonisht ndihen të plogësht, kanë vështirësi në frymëmarrje dhe rrahje të çrregullta të zemrës.
Studimet të cilave u referohet AgroWeb.org, kanë konfirmuar se 21 përqind e grave të moshës nga 19 deri në 34 vjeç kanë nivele të ulëta të akumulimit të hekurit në organizëm.
Burimet E Hekurit Për Organizmin
Organizmi i njeriut nuk arrin dot të prodhojë hekur.
Në këtë mënyrë, njeriu mund ta marrë atë nëpërmjet ushqimeve që kanë një përmbajtje të lartë të këtij minerali.
Problemi qëndron tek përthithja e hekurit.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, sasia e hekurit që marrim nga ushqimet, mund të mos përthithet siç duhet nga organizmi.
Si Të Përfitoni Sasinë Maksimale Të Përthithjes Së Hekurit
AgroWeb.org rekomandon ngrënien e barishteve të freskëta ose të gatuara me avull.
Spinaqi mund të zihet shumë lehtë, por jo për minuta të tëra.
Në pak sekonda, spinaqi çliron 55 përqind më shumë hekur të tretshëm se sa kur hahet i freskët.
Por mos e zieni tepër.
Një tjetër hap i duhur drejt përthithjes së mirë së hekurit është ngrënia e ushqimeve ose pijeve të pasura me vitaminë C në çdo vakt.
Mishi i kuq është veçanërisht i pasur me hekur që përthithet lehtë nga organizmi.
Spinaqi, bizelet dhe thjerrëzat janë burime të shkëlqyera të hekurit.
Nga ana tjetër, konsumatori duhet të dijë se hekuri që merret nga buka ose drithërat e pasuruar me këtë mineral, nuk është gjithmonë i përthithshëm nga organizmi.
Mënyra E Përgatitjes Së Ushqimit Ka Rëndësi
Ekspertët shpjegojnë se mënyra e përgatitjes së ushqimit dhe pijeve mund të tjetërsojë sasinë e hekurit që përthith organizmi.
Për shembull, nëse ju i shoqëroni drithërat e mëngjesit me lëng portokalli, atëherë organizmi juaj do të përthithë më shumë hekur.
Kjo ndodh sepse lëngu i portokallit përmban vitaminë C e cila lehtëson përthithjen e hekurit.
Nga ana tjetër, nëse ju tasin e drithërave e shoqëroni me kafe, atëherë do të përthithni më pak hekur.
Kjo ndodh sepse kafeja përmban polifenolë që ndërlidhen me hekurin dhe e vështirësojnë tretjen e tij.
AgroWeb.org rekomandon që kafenë ta pini të paktën 30 minuta pas ngrënies./AgroWeb.org