Janë kthyer në bankat shkollore 320 nxënësit e shkollës fillore të fshatit Shemshovë të komunës së Jegunovcës, të cilët një ditë më herët nuk u lejuan të shkojnë në shkollë, për shkak të mungesës së ngrohjes. Drejtori i shkollës, Burhan Ejupi, thotë se që në shtator ka bërë kërkesa të shumta për furnizim me naftë dhe nuk e kupton se përse duhej të lejohej që gjendja të vinte në këtë pikë. Pas bërjes publike të rastit, kryetari i Jegunovcës ka siguruar naftë për këtë shkollë deri në fund të këtij viti, pa shpallje paraprake, duke shfrytëzuar mundësinë ligjore që parasheh furnizim të njëhershëm edhe pa shpallje publike deri më 30.000 denarë dhe premton që shpallja publike për sigurimin e lëndës djegëse, të shpallet të premten.
“Kërkesat janë bërë, e fundit është bërë me 19.12.2022 deri tek komuna, e parafundit është bërë me datë 14.12.2022, mandej kam me 27.10.2022 dhe kemi filluar nga muaji i nëntë, gjithsej mund të jenë gjashtë ose shtatë kërkesa, ndërsa me 14.12 ne e kemi njoftuar komunën se ne në çdo moment mund të ngelim pa lëndë ndjekëse. Ndërsa, dje u arrit ajo që e kisha lajmëruar çdo herë kryetarin, por përgjigje nuk kemi pasur. përgjigjja e tij ka qenë do ta hapim dhe çdo herë i ka ikur përgjigjes me shkrim dhe dje jemi marrë vesh gojarisht se procedurat për shpallje do të nisin nga 23.12 i këtij viti.”, – u shpreh drejtori i Sh.F. “ Shemshova ”, Burhan Ejupi.
Edhe pse kryetari i komunës së Jegunovcës është në zyrë ai përsëri nuk deshi të prononcohet për atë se pse deri më tani nuk e ka furnizuar me lëndë djegëse shkollën fillore në Shemshovë dhe cila ka qenë arsyeja e refuzimit të kërkesave për furnizim me naftë.