Skenaret e Zaevit, i ka numërat për ndryshimet kushtetuese edhe pa partitë shqiptare?!

Lidhja Social Demokrate Maqedonase (LSDM) po përgatitet për të finalizuar ndryshimet kushtetuese rreth emrit të ri Maqedonia e Veriut. Burime pranë kësaj partie thonë për INA se deri në votimin final që pritet të ndodhë pas dy muajve pas shterrjes së debateve, do të sigurohet numër i mjaftueshëm i deputetëve për të kaluar ndryshimet kushtetuese dhe definitivisht për të mbyllur kushtetutën rreth çështjes së emrit të ri, në përputhje me Marrëveshjen e Prespës.

Marketing

Ajo që flitet jozyrtarisht në koluaret e Kuvendit është se përveç 8 deputetëve nga radhët e koalicionit të VMRO-DPMNE, deri në mbyllje të procesit do të bashkohen edhe rreth 8 deputetë të tjerë.
Por në LSDM të pyetur rreth këtyre informacioneve thonë se nuk duan të flasin për çështjet teknike të numrave, por se presin përfshirje më të gjerë të deputetëve.

“Shpresoj dhe jam i bindur se të gjithë deputetët në mënyrë integruese do të marrin pjesë në debatin për amendamentet e parashtruara, që janë evidente dhe të gjitha së bashku ta rrumbullakojmë procesin që na çon drejt BE-së dhe NATO-s”, theksoi dje sekretari i përgjithshëm dhe deputeti i LSDM, Aleksandar Kiracovski, përcjellë INA.

Në votimin e parë për hapjen e Kushtetutës, janë siguruar 80 deputetë, përfshirë ata të koalicionit qeverisës LSDM, BDI, BESA e Gashit dhe PDSH, përfshirja e votave të ASH dh BESËS së Kasamit, si dhe 8 deputetët nga koalicioni i VMRO-DPMNE, që tashmë po funksionojnë si deputetë të pavarur, pas përjashtimit nga partia e tyre.

Kalkulimet e partive në pushtet janë që të sigurohen votat e sigurta për të finalizuar marrëveshjen deri në janar. Deri tani në kuadër të këtij debati tashmë janë propozuar edhe amendamentet nga ASH dhe BESA e Kasamit, por që nuk kanë gjetur përkrahjen e partive të koalicionit qeverisës. Nuk do të dihet epilogu i votimit final dhe se a do të ketë mbështetje nga katër votat e partive opozitare shqiptare. Sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari theksoi se partia e tyre nuk do të kushtëzojë për anëtarësimin në NATO dhe BE, por tha se do të synojnë të bindin maxhorancën që të përkrahë amendamentet e tyre që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe dhe heqjen e emërtimit bashkësia etnike mbi 20 % dhe zëvendësimin e saj me bashkësia etnike shqiptare.