Sketching Pristina: Artistë nga Kosova, Franca dhe Spanja vizatojnë qytetin me mbështetjen e BE-së

Sketching Pristina: Artistë nga Kosova, Franca dhe Spanja vizatojnë qytetin me mbështetjen e BE-së

Një cep rruge, drita që bie mbi një ndërtesë, një monument apo një skenë e zakonshme në treg mund të bëhen momente që ia vlen të ndalesh e t’i vëzhgosh, aq më tepër kur qyteti shihet përmes një blloku të skicave. Përgjatë tri ditëve në fillim të shtatorit, me mbështetjen e BE-së në Kosovë dhe Komunës së Prishtinës, pesë artistë të ftuar nga GRAN Fest ecën rrugëve të Prishtinës në kërkim të këtyre momenteve.

Edicioni i parë i Sketching Pristina, projekt i GRAN Fest për shkëmbim kulturor dhe art urban, bëri bashkë Enrique Flores dhe Pedro Espinosa nga Spanja, Aurélie Calmet dhe Emmanuel Prost nga Franca, si dhe Liza Dervishaj nga Kosova.

Nisma u dha artistëve kohë për të eksploruar qytetin dhe për të dokumentuar nga këndvështrimet e tyre rrugët, lagjet, njerëzit dhe përditshmërinë e Prishtinës.

Përtej dokumentimit të qytetit, Sketching Pristina krijoi hapësirë për shkëmbim mes artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Për themeluesin dhe Drejtorin Artistik të GRAN Fest, Gani Jakupi, mbështetja e BE-së kontribuoi në një shkëmbim që është njëkohësisht edhe një formë e diplomacisë kulturore.

“Është një lloj diplomacie kulturore. Në njërën anë, artistët që vijnë këtu krijojnë një përshtypje shumë më të mirë sesa po të vinin vetëm për vizitë. Në anën tjetër, ata i marrin këto imazhe me vete. Ne do t’i ekspozojmë punimet këtu, por ata i marrin origjinalet edhe i ekspozojnë edhe në vende të tjera. Ka me qenë një mënyrë e shpërndarjes së imazhit të Kosovëes, ideale.”

Angazhimi më i gjerë i BE-së në sektorin kulturor dhe kreativ të Kosovës mbështet mundësi që lidhin artistët në Kosovë me kolegët e tyre në vende të tjera të Evropës dhe ndihmojnë që skena kulturore e Kosovës të arrijë te një publik më i gjerë.

Ky shkëmbim mori formë në rrugët e Prishtinës. Gjatë tri ditëve, artistët lëvizën nëpër qytet, duke u ndalur sa herë që diçka ua tërhiqte vëmendjen. Disa prej pikave më të njohura të Prishtinës u hodhën në letër, përfshirë monumentin NEWBORN, Çarshinë e Vjetër, Sahat Kullën dhe Muzeun Etnologjik.

Për ilustratorin spanjoll Enrique Flores, i cili punon me El País, kjo ishte vizita e dytë në Kosovë, pasi vitin e kaluar kishte marrë pjesë në GRAN Fest.

“Kjo është hera ime e dytë në Prishtinë dhe Kosovë. Pata fatin të ftohem në GRAN Fest vitin e kaluar, ndërsa këtë vit jam përsëri këtu për edicionin e parë të Sketching Pristina. Më pëlqen ta vizatoj Prishtinën sepse është një qytet shumë piktoresk, plot kontraste, peizazhe dhe njerëz shumë të mirë.”

Pas tri ditësh skicimi, aktiviteti përfundoi më 3 shtator me hapjen e një ekspozite në Europe House Pristina, ku punimet e realizuara gjatë programit iu prezantuan publikut.

Mbështetja e BE-së për Sketching Pristina është pjesë e partneritetit të saj më të gjerë me Kosovën. Bashkimi Evropian është ofruesi më i madh i asistencës financiare për Kosovën dhe, që nga viti 1999, ka investuar mbi 3.7 miliardë euro në fusha që përfshijnë zhvillimin ekonomik, arsimin, kulturën, shoqërinë civile dhe fuqizimin e institucioneve.

/ Aktuale.mk

GIF
LAJME TË NGJAJSHME

TË FUNDIT

GIF