Orbituesi i sondës kineze të Marsit “Tianwen-1” dërgoi pamje me qartësi të lartë të satelitit natyror të “planetit të kuq” Fobos të shtunën, me rastin e dyvjetorit të nisjes së misionit.
Kina e filloi misionin “Tianwen-1” më 23 korrik 2020, duke dërguar një orbitues, një zbritës dhe një rover në Mars. Orbituesi hyri në orbitën e këtij planeti në shkurt të vitit 2021, kurse zbritësi dhe roveri u ulën në Mars e filluan nga funksionimi në maj të po atij viti.
Marsi ka dy satelitë të vegjël natyrorë, Fobos dhe Deimos (që përkatësisht kanë kuptimin “frikë” dhe “tmerr”).
Fobosi është më i afërti dhe më i madhi nga të dy. Ai është një objekt i vogël, në formë të çrregullt, me një rreze mesatare 11 km, që orbiton 6 000 km nga sipërfaqja e Marsit në një trajektore thuajse rrethore. Ai e kryen një rrotullim rreth orbitës në vetëm 7 orë e 39 minuta.
Kohët e fundit, ekipi operacional i “Tianwen-1” shfrytëzoi kohën kur orbituesi ishte relativisht afër Fobosit dhe mori pamje të qarta të satelitit në gjendjen e tij të “hënës së plotë”.
Në fotografi, Fobosi duket një objekt me formë të çrregullt si një patate. Vijat në sipërfaqen e tij në të majtë sipër mund të jenë formuar prej goditjeve. Në pjesën e sipërme në të djathtë është një krater, i quajtur Öpik, sipas astronomit dhe astrofizikantit estonez, me një diametër rreth 2 km.