Sot Apeli shpall aktgjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt

Sot Paneli i Gjykatës së Apelit do të bëjë shpalljen e aktgjykimit në çështjen ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt. Kjo pritet të ndodhë në ora 14:00.
Pas shpalljes së vendimit të shkallës së parë, ku trupi gjykues i shpalli ata fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, ata paraqitën ankesë në Apel.

Marketing

Në shkallën e parë ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

Më 25 dhe 26 shtator 2020, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nikola Giju, konfirmoi aktakuzën kundër dy të akuzuarve.

Më 16 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II. Gjykimi filloi më 7 tetor 2021. Më 10 nëntor 2021, ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave të saj. Të dy ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave të tyre më 2 shkurt 2022.

Aktgjykimi u shpall më 18 maj 2022. Trupi Gjykues i shpalli fajtorë të dy të akuzuarit për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Të dy të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes. Trupi Gjykues e dënoi secilin të akuzuar me katër vjet e gjysmë burgim, duke u llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, si edhe me gjobë prej 100 euro secili.