Ballina Aktuale Sot në Prespë Ahmeti shpalos emrin kryeministrit të parë shqiptar

Sot në Prespë Ahmeti shpalos emrin kryeministrit të parë shqiptar

Sigurisht, shumë njerëz nuk do të kishin besuar gjithashtu, se gjuha shqipe do të ishte një gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ose që flamuri do të valonte i lirë dhe që do të kishim tre universitete në gjuhën shqipe. Por ne, ca prej nesh që guxuan të synojnë realizimin e ëndrrave, e dinim se mund t’ia dilnim. Ne e arritëm këtë së bashku. Siç do të bëjmë edhe tani. Kështu para dhjetë ditësh u shpreh lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ndërsa shpalosi idenë për kryeministrin e parë shqiptar.
Në një paraqitje para opinionit, Ahmeti premtoi se në ditën e parë të fushatës, në Konventën e Prespës, do të shpaloset edhe emri i kandidatit të parë shqiptar për kryeministër, ndërsa tha se beson se kjo do të realizohet.

Marketing

Me këtë rast, sot në Konventën e Prespës, në Njësinë e pesë zgjedhore, ku BDI-së promovon kandidatët për deputetë, lideri Ali Ahmeti do të publikojë edhe emrin e kryeministrit të parë shqiptar, ndërsa shënohet edhe fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 15 korrikut.

“Së bashku, ne do të shkruajmë historinë për ta bërë ardhmërinë. Së bashku mund t’i tregojmë botës, se vendi ynë mund të jetë me të vërtetë një shoqëri, ku të gjithë mund të realizojnë ëndrrat e tyre dhe të ndjehen të barabartë. Një vend ku një shqiptar ose një shqiptare mund të bëhet Kryeministër dhe të jetë udhëheqës i denjë që garanton partneritetin e përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Kjo është ajo që dua t’u mundësojë fëmijëve dhe nipërve e mbesave tona: Besimi se ne mund të arrijmë gjithçka që ëndërrojmë”, u pat shprehur Ahmeti me rastin e propozimit të idesë për kryeministrin e parë shqiptar.

Konventa fillon në ora 13:00 dhe do të mbahet pranë pushimores Pretor.

Exit mobile version