Sot seanca gjyqësore për rastet “Trajektorja”, “Treqind” dhe për vrasjen e Sazdovskit

Në Gjykatën Penale në Shkup sot duhet të mbahen seanca të reja gjyqësore për rastet “Trajektorja”, “Treqind” të PSP-së dhe për vrasjen e Nikolla Sazdovskit.

Marketing

Rasti “Trajektorja gjendet në procedurën e dëshmive dhe në të janë akuzuar ish kryeministri Nikolla Gruevski, i cili gjykohet në mungesë, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, ish zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski dhe ish drejtori i NP Rrugët shtetërore Lupço Georgieski.

Sipas akuzës së PSP-së, të akuzuarit në gjysmën e dytë të vitit 2012 dhe gjatë vitit 2013 kanë ndërmarrë shumë veprime me të cilat në procedurën për zgjedhjen e kompanisë për ndërtim të autostradave Milladinovc-Shtip dhe Kërçovë-Ohër i kishin shfrytëzuar dhe i kishin tejkaluar autorizimet e tyre. Me këtë i kanë shkaktuar dëm Buxhetit për të paktën 155 milionë euro.

Në “Treqind” i akuzuar është ish ndihmēs ministri i Punëve të Brendshme Gjoko Popovski për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë furnizimit të 300 automjeteve për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Gjykatësja Dobrilla Kacarska në maj të vitit të kaluar e dēnoi Popovskin me nëntë vjet dënim me burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit e shfuqizoi gjykimin e shkallës së parë për rastin dhe e ktheu në gjykim të sërishëm.

Sipas aktakuzës së PSP-së, Popovski nuk i ka respektuar rregullat ligjore për furnizim publik dhe e ka dëmtuar buxhetin në vlerë prej 453.570 euro.

Në Gjykatën Penale duhet të vazhdojë gjykimi i Besir Belës dhe Skender Demirit, të akuzuar për vrasjen e 20 vjeçarit Nikolla Sazdovski.

Më 7 shkurt ishte kryer rikonstruksion i rastit të vrasjes së Sazdovskit në prani të dëshmitarëve dhe ekspertëve në stacionin e autobusit në Autokomandë.

Sipas aktakuzës, Bela dhe Demiri së bashku me J.L. (19), i cili është në arrati, më 29 qershor të vitit të kaluar e kanë rrahur Sazdovskin në stacionin e autobusit para fabrikës “Alkaloid” në bulevardin “Aleksandri i Maqedonisë” në Autokomandē.

Nga lëndimet e mara, Sazdovski më 9 korrik të vitit 2018 ndërroi jetë në Klinikën për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv-KARIL në Qendrën Klinike “Nëna Terezë”.

Dy nga sulmuesit. Besir Bela dhe Skender Demiri, janë në paraburgim në burgun “Shkupi” në Shutkë, ndërsa për të dyshuarin e tretë, i cili ende është i pakapshëm për organet e përndjekjes, është shpallur urdhërarrest vendor dhe ndërkombëtar

Marketing