Sot s’ka besë, ta marrin edhe gruan në shtëpi!

A kanë qenë kohë të arta vitet kur burrat e kanë njohur gruan për të parën herë me të hyrë dhëndër? Kohë të arta kanë qenë edhe vitet kur i riu ia ka lëshuar vendin më të vjetrit dhe e ka nderuar sipas adetit shqiptar. Apo janë më të mira kohët e sotme, kur çifti kalon me vite bashkë dhe në fund ndahen, sepse nuk paskan qenë për njëri – tjetrin?!

Marketing

Të gjitha këto i shprehin pleqtë tanë të intervistuar, shkruan “Kosovarja”.

Shukri Krasniqi, 81 vjeç, nga Prishtina, të shtunën, kur edhe e intervistuam, ishte duke pirë kafe në kafenenë e pensionistëve në qendër të Prishtinës.

Ai, duke folur për portalin tonë, ka pohuar se janë bërë ndryshime të mëdha në krahasim me kohën kur ishte i ri. Dhe, duke folur për këto ndryshime, thotë:

“Tash nuk ka burrni hiq. Kjo është kohë e keqe, nuk ka besë e nuk ka as njerëzi. Sot nuk ka nderim për askënd, janë bërë të gjithë njëjtë. Nuk dihet as plaku, as i riu, por dihet vetëm më i forti.

Dikur, kur isha i ri, nuk ka pasur hidhërim, por ka pasur humor. Nuk ka pasur televizor, por ka pasur lojëra në oda dhe burra në oda. Ka pasur burrni dhe kanë dhënë llogari për çdo gjë që ka ndodhur”.

Dikur ishte krejt ndryshe…

“Dikur ka qenë krejt ndryshe”, thotë Shukriu dhe shtoi: “Dikur, në kohën time, kur isha i ri, kur fjala e burrit ka pasur peshë, nuk ke mundur me ia prishur vajzës fejesën pa pasur ndonjë zor të madh, siç ndodh tash, kur fejesat prishen për asgjë…

Kanë pleqëruar burrat në oda dhe e kanë ditur se me ia prish fejesën një vajze ishte shumë nënçmim. Sot kalojnë djalë e vajzë bashkë, flenë bashkë dhe të nesërmen ndahen sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

Sot ka humbur rendi shtëpiak dhe familjar. Nuk dihet kush është nuse e kush është vajzë! Vajza bëhet nuse dhe del me xhins në qytet apo rrugëve të fshatit, mu si vajzë e re! Apo edhe me atlete! Apo del në banesë të vet, sepse nuk dëshiron me i pa vjehërrinë dhe kjo është bërë modë.

Jam i lindur në vitin 1938. Jam fejuar kur isha 17 vjeç dhe pas dy vjetësh jam martuar. Nuk e kam parë nusen kurrë me sy derisa ka ardhur në shtëpinë time.

Të vetmen frikë e kam pasur mos ka ndonjë behane, sepse edhe po të ketë qenë nusja e tillë, është dashur ta mbaja. E kisha frikën se çka do të bëja nëse më vinte ashtu…

Gjëja e parë që e kam bërë në dhomë te nusja ime ka qenë: ia kam ngritur duvakun dhe i kam thënë: “Hapi sytë!”. Nusja kurrë s’i ka hapur sytë deri atëherë kur ka hyrë në dhomë! Jam gëzuar dhe kam marr frymë lirshëm kur e kam pa se ishte në rregull. Kam thënë se më nuk ka rëndësi bukuria, meqë me sy qenka mirë.

Me të i bëra 6 fëmijë dhe kurrë në jetë nuk kemi pasur zënka. Kemi jetuar në harmoni të plotë deri në ditën kur ajo vdiq, kur edhe më la shumë keq.

Nuk kemi jetuar me rrena, por kemi jetuar si duhet. Nuk ka pasur detergjent për larjen e rrobave, si sot, nuk ka pasur higjienë si sot, por ka pasur moral e fytyrë dhe kjo e ka mbajtur nderin e familjeve.

Ka pasur më shumë humanitet dhe e kemi kuptuar skamjen e njëri – tjetrit dhe e kemi ndihmuar aq sa kemi pasur mundësi. Kemi shkuar te njëri-tjetri, e kemi nderuar njëri-tjetrin.

E, sot?

Sot njerëzit hidhërohen për pak gjë, pastaj nuk ka qejf askush me pa mirë askënd, ka shumë xhelozi. Inat vëllai-vëllanë, fqinji-fqinjin. Nuk ta ka hatrin nusja e as djali dhe nuse e burrë ndahen edhe për një fjalë goje”.

S’ka më respekt e as besë!

Imri Tasholli, nga Ferizaj, i lindur në vitin 1945, kritikon brezin e ri për mosbesim.
“Respekt dhe besë sot s’ka”, tha ai dhe shtoi: “Kjo kohë është sikur thoshin dikur: “E hëngri ujku delen!”.

Tash hotele ka sa të duash, ka edhe shumëçka që nuk ka pasur dikur, por njerëzve u ka hyrë tërpia në para e në hotele, në veshje e në sende të ndryshme…

Sot nuk ka nderë, kanë ndryshuar puna krejt! Mjeri ai që sot është i vjetër e nuk mund t’i durojë këto të këqija, e nuk ka çka bën!

Edhe fukarallëku ka qenë i mirë, sepse ka pasur besë, ka pasur mëshirë, burrëri. Unë dy herë jam fik, por edhe jam bërë shtëpi përsëri. Njerëzit të kanë kuptuar edhe kur nuk ke pasur, por edhe kur ke pasur. Nëse dikush të ka pasur borxh dhe i ka pasur punët keq, ia ke shtyrë borxhin, sepse ka ekzistuar mirëkuptimi për të varfrin.

E, sot nuk të njeh askush dhe nuk do as me ndie nëse je fukara!

Edhe pa njerëz po frikësohem se do mbesim, sepse të gjithë synojnë kurbetin. Të rinjtë sytë kah kurbeti, martohen atje, lindin fëmijë, të cilët flasin një gjuhë tjetër nga kjo e jona…

Tash kollaj po martohen, por dikur nuk ka qenë kështu. Kur është kërkuar një rob për nuse, e kanë pyetur një katund të tërë se ku i ka dajallarët e ku e ka fisin. Kur ka ardhur dikush nga jashtë e ka ditë i tërë fshati miku i kujt është dhe e kanë pritur e nderuar si duhet.

Tani bëhesh mik me tjetrin dhe nuk e di as familja mirë se me kë janë miqësuar! Sot nuk dihet as kush hy e kush del nga shtëpia! Jemi dal për fushe krejt.

Mua më ka martuar mixha. Aso kohe shkova në Jezerc, në mulli. Ishte borë e madhe dhe mezi arrita atje. Kur u ktheva i gjeta në odë shumë njerëz. Mesiti i tha mixhës tim: “Ta kam gjet një nuse për nipin!”. U ngrit në këmbë dhe ia bëri për hajr.

Dhe, edhe pse ma zënë nusen në atë mënyrë, pa e njohur e pa e parë, kam jetuar me gruan time bashkë 56 vjet të bardha, i kemi bë bashkë 6 fëmijë dhe kurrë nuk kemi pasur fjalë të këqija. Ia kemi ditur njëri – tjetrit hallet dhe e kemi kuptuar si duhet. Tash le të thonë të rinjtë sa të duan se ne kemi qenë të egër, por ne kemi qenë shumë më të kulturuar sesa që janë të rinjtë sot. E kemi ditur ç’është nderi dhe kemi pasur edukatë familjare”.

Sot çdo gjë me rrena!

B. M., 79 vjeç, nga Hajvalia e Prishtinës, dëshiron t’i përmend vetë inicialet shkaku i familjes së tij të gjerë, thotë se sot po ndodhin sende të rënda që nuk i kanë ndodhur më parë populli tonë.

“Sot të rinjtë njoftohen me rrena, kalojnë me rrena dhe martohen me rrena! E, kur bëjnë jetë me rrena, normalisht, nuk kanë si të jetojnë bashkë, por ndahen shpejt. Sot janë mësuar të shëtisin rrugëve, të bredhin hoteleve dhe të vrapojnë pas të tjerave, madje edhe gratë pas të tjerëve! E kjo është më e keqja që na ndodh të gjithëve, pa dallim.

Unë jam martuar pa e njohur gruan time, pa e parë asnjëherë, deri atë natë kur kam hyrë dhëndër. Kur kam hyrë dhëndër jam skuqur edhe prej saj. Edhe kur erdh koha me shkua te miku, më vinte turp.

E, sot?

Sot shkojnë e vijnë edhe para martese dhe dreqi në fije s’u bie!”, tha me një qeshje paksa tallëse, B. M., nga Hajvalia e Prishtinës./ Sokol Murturi /Kosovarja/