Sot zhvillohet ndeshja vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë

Pas vëllazërores së 13 nëntorit të vitit 2015 që u zhvillua në Prishtinë dhe që u kthye në një festë të madhe, Shqipëria dhe Kosova do të jenë sërish përballë njëra-tjetrës këtë herë në tokën helvete pikërisht në Zurich të Zvicrës, aty ku stadiumi i Letzingrund sot në orën 20:00 do të jetë i tejmbushur me shqiptarë.

Marketing

Këtë herë nuk mund të konsiderohet plotësisht një vëllazërore sepse sidomos për kuqezinjtë rezultati vlen dhe Shqipëria ndryshe nga Kosova që do të kërkojë të provojë sa më shumë lojtarë të rinj, do të tentojë fitoren.

Ky është testi i parë gjeneral për djemtë e drejtuar nga Christian Panucci për Ligën e Kombeve që do të nisë në shtator. Kosova nuk ngjason me asnjë prej dy skuadrave që kuqezinjtë kanë në grup në Ligën C, Skocia dhe Izraeli, megjithatë përballë një kundërshtari disi më të dobët dhe që bën pjesë në ligën D, Shqipëria duhet të tregojë forcën e vërtetë dhe të fitojë.

Risi të shumta në formacionin e kuqezinjëve të cilët do të zbresin në fushë me një skuadër shumë herë më të re në moshë. Lenjani nuk ja ka dalë të rikuperohet në kohë nga dëmtimi ndërsa Mavraj edhe për faktin se është me Ramazan do të ulet në stol nga trajneri Panucci.

I cili përveç Berishës në portë do të aktivizojë në mbrojtje Hysajn në të djathtë, Xhimshitin dhe Veselin në qëndër dhe do të improvizojë Bujar Likën si mbrojtës të majtë në debutimin e këtij të fundit si titullar. Mesfusha do të përbëhet nga tre lojtarë shumë të rinj në moshë si Ramadani, Qaka dhe Ndoj, të cilët do të duhet të mbulojnë mungesat e emrave me peshë si Xhaka e Abrashi për shkak dëmtimi. Për mesfushorin e Brescias Ndoj ky ndaj Kosovës do të jetë një debutim absolut me kombëtaren A. Në sulm përveç Roshit e Cikalleshit do të ketë vend edhe për Sindrit Gurin i cili grumbullohet për herë të parë nga kuqezinjtë pas sezonit spektakolar që zhvilloi me Kukësin.

Përsa i përket Kosovës edhe te Dardanët mungesat do të jenë të shumta ku spikat ajo e Valon Berishës. Trajneri zviceran Bernard Chalandes pritet të luajë me rreshtimin 4-4-1-1, me Avdijajn që do të mbështesë sulmuesin e vetëm Vedat Muriqi, ndërkohë në prapavijë një fanellë titullari do të ketë edhe për mbrojtësin e Skënderbeut Fidan Aliti, por edhe për talentin e Hajdukut të Splitit Ardjan Ismaili.

Shqipëri-Kosovë do të nisë në orën 20:00 dhe do të transmetohet live në Supersport.