SPAK vendos sekuestro ndaj dy llogarive bankare të mjekut Edvin Prifti

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestro mbi llogaritë bankare të mjekut kardio-kirurg Edvin Priftit.

Në njoftimin e SPAK thuhet se bëhet fjalë për sekuestrimin e dy shumave me vlerë 51.479.368 lekë dhe 177.497 euro.

Marketing

NJOFTIMI I PLOTË

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në kuadër të procedimit penal nr.102/2 të vitit 2020, në ngarkim të të hetuarit E. P. (aktualisht nën masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale), i dyshuar për kryerjen e veprave të “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” (më shumë se një rast) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 259 dhe 287 të Kodit Penal.

Policia Gjyqësore pranë Policisë së Shtetit ka kryer një hetim të thelluar financiar dhe pasuror të shtetasit E.P. dhe subjekteve tregtare të krijuar prej tij (Persona Fizik). Falë një hetimi intensiv u grumbulluan prova që krijojnë dyshime se nga ana e të hetuarit është ngritur një skemë e mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore fallco me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve. Gjithashtu nga verifikimi i llogarive bankare të shtetasit E.P. apo personave fizik të regjistruar në emër të tij është konstatuar se ky shtetas kryente depozitime Cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë.
Nisur nga sa më sipër, duke qenë se ekziston dyshimi që shumat e parave të depozituara në bankë, në Cash, nga ana e të hetuarit E. P. (në llogarinë personale apo të PF të krijuar prej tij) janë produkte të veprës penale Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Gjykatës vendosjen e sekuestros preventive.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.150 datë 11.05.2021, ndërmjet të tjerave ka vendosur:
Vendosjen e sekuestros preventive mbi llogaritë bankare (llogari rrjedhëse, depozitë pa/me afat apo investime në obligacione) në emër të shtetasit E. P. apo subjekteve tregëtare në pronësi të tij në shumat:
• Sekuestrimin e shumës 51.479.368 Lek.
• Sekuestrimin e shumës 177.497 Eur.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e akteve të dërguara nga Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar në datën 20.12.2019, procedimin penal pasuror nr.6, në ngarkim të shtetasve A. Doçaj, A. Beqiri, etj.
Nga studimi i akteve, rezulton se autoritetet daneze të drejtësisë, kanë kryer një hetim proaktiv ndaj disa shtetasve shqiptarë me banim në Danimarkë dhe jashtë saj, si shtetasi S. K. (alias J. K.), A. Doçaj, etj, për veprat penale të trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që kanë operuar jo vetëm në territorin e Danimarkës, por dhe në Gjermani, Hollandë, Suedi, Belgjikë, Shqipëri, etj.
Pas regjistrimit të procedimit penal pasuror, Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kreu një hetim financiar dhe pasuror të shtetasit A. Doçaj dhe familjarëve të tij. Në përfundim të hetimit, bazuar në parashikimet e Ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, (Ligji Antimafia) me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.12 datë 04.05.2021 ndërmjet të tjerave ka vendosur:
• Sekuestrimin e një shume prej 4.000 Euro (llogari bankare);
• Sekuestrimin e një njësi shërbimi, me sipërfaqe 134 m2 në lagjen “Plazh”, Durrës;
• Sekuestrimin e një apartamenti me sipërfaqe 122.58 m2 në Tiranë;
• Sekuestrimin e një apartamenti me sipërfaqe 116.83 m2 në Tiranë.