Spasovski në Tabanoc ndan fletushka edhe në shqip

Nën moton “Mos fluturoni, veroni”, filloi të zbatohet fushata e MPB-së dhe të Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin e Rrugëve. Ministri i Punëve të Jashtme Oliver Spasovski sot në KK Tabanoc, u ndau fletushka edukative turistëve të cilët hyjnë në Maqedoni përmes të cilave bëhet apel për respektimin e rregullave të komunikacionit dhe ngasje të kujdesshme.

Marketing

Fushata ka për qëllim të ngritë vetëdijen edhe te qytetarët e Maqedonisë dhe mysafirëve, sepse sipas vlerësimeve të MPB-së në korrik dhe gusht ka rritje të numrit të aksidenteve në komunikacion. Në këto muaj është rritur frekuenca e komunikacionit dhe ka rritje të numrit të turistëve të cilët transitojnë apo qëndrojnë në Maqedoni. Ai pret që përmes fushatës të ulet numri i aksidenteve dhe të respektohen rregullat.

“Krahas të gjitha reformave, krahas të gjitha aktiviteteve të cilat i ndërmarrim për pajisjen dhe përmirësimin e kushteve për punën e policisë së Maqedonisë, punë kyçe është të kemi projekte përmes të cilave do ta përforcojmë vetëdijen publike, sepse nëse kemi qytetarë të cilët do të jenë partnerë, nëse kemi mysafirë të cilët hyjnë në Maqedoni do të sillemi me përgjegjësi, në komunikacion, mund të kemi siguri në komunikacion”, tha ministri.

Fletushkat janë në gjuhën maqedonase, gjuhën angleze dhe gjuhën shqipe dhe pjesëtarët e policisë do t’i shpërndajnë në kalimet kufitare ndërsa KRSKRR në pikat pagesore.

Numrat e aksidenteve të ndodhura janë në nivel të vitit paraprak, me tendencë të uljes së kundërvajtjeve në komunikacion, veçanërisht në mjediset e qytetit, për shkak të rritjes së kontrolleve të cilat janë vendosur nga MPB-ja. Ministri paralajmëroi se në të gjitha qytetet do të ketë kontrolle të përforcuara policore për siguri më të madhe në komunikacion dhe u bëri apel qytetarëve të sillen me përgjegjësi, për sigurinë e tyre dhe të tjerëve në komunikacion.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me sigurimin në takimin e djeshëm të liderëve, Spasovski, tha se nuk do të komentojë takime të liderëve dhe ngjarje politike.