Spasovski: Vendimet në MPB janë shfuqizuar pasi janë të paligjshme

Kryeministri Oliver Spasovski sot në Ohër vlerësoi se shfuqizimi i 89 vendimeve për punësim në Ministrinë e Punëve të Brendshme është bërë për arsye se emërimet janë të paligjshme.

Marketing

“Ligji për Qeverinë saktë parashikon se ministri i Punëve të Brendshme për këtë periudhë mund t’i ndërrojë 15 nëpunës në funksione drejtuese. Deri më tani, ministri Naqe Çulev i ka bërë 14 ndryshime, ndërsa me të 89-të vendimet tani më të shfuqizuara janë bërë ndryshime në pozita të shefave dhe drejtuese në MPB, që është në kundërshtim me Ligjin”, deklaroi Spasovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Ai theksoi se ministri i Punëve të Brendshme ka të drejtë për sistemime horizontale të kuadrove në shërbim, por jo edhe për ndryshime të strukturave drejtuese.

“Apeloj që vendimi i Qeverisë të respektohet pasi mosrespektimi është shkelje e vetëdijshme e ligjeve që hyn në një procedurë tjetër për të cilën duhet të jenë të vetëdijshëm të gjithë – edhe ministri edhe strukturat drejtuese në Ministri edhe ato për të cilat kanë të bëjnë këto vendime. Secili duhet ta dijë se çfarë të drejtash ka, aq sa parashohin rregullat ligjore”, theksoi Spasovski.

Lidhur me vendosjen e tabelës me ish-emrin e shtetit në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Spasovski paralajmëroi se fillimisht do të bisedojë me ministren Rashela Mizrahi me qëllim që të njoftohet me gjendjen faktike, ndërsa nëse konstaton se interesat partiake vihen mbi ato shtetërore, do të ndërmarrë masa.

Ndërsa sa i përket çështjes me UNESKO-n për Ohrin, Spasovski në seancën e rregullt të Qeverisë të mbajtur në Ohër, tha se Qeveria do të bëjë gjithçka është e mundur që Ohri dhe rajoni të jenë pjesë e listës botërore të trashëgimisë së mbrojtur kulturore dhe natyrore të UNESKO-s.