Spektakël me 10 gola, Anglia mposht Francën dhe siguron vendin e tretë
Kombëtarja e Anglisë ka fituar vendin e tretë në Kampionatin Botëror, pasi në një ndeshje spektakolare me plot dhjetë gola mposhti Francën me rezultatin 6-4.
Kjo përballje hyri në histori si një nga ndeshjet me më shumë gola në historinë moderne të Kampionateve Botërore. Ndeshja solli edhe dy rekorde individuale: Kylian Mbappe u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorëve me 22 gola, ndërsa Michael Olise vendosi rekord për numrin më të madh të asistimeve në një turne të vetëm, me gjithsej shtatë.
“Tre Luanët” e nisën furishëm takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e tretë. Declan Rice realizoi një supergol me një goditje të fuqishme nga jashtë zonës, duke e lënë të palëvizur portierin Mike Maignan.
Anglia vazhdoi dominimin dhe në minutën e 19-të dyfishoi rezultatin. Ezri Konsa shënoi me kokë pas një goditjeje nga këndi.
Bukayo Saka ishte protagonisti absolut i pjesës së parë. Sulmuesi realizoi në minutën e 37-të pas një kundërsulmi të shpejtë, ndërsa në minutën e 47-të shënoi edhe golin e katërt për Anglinë, duke kompletuar dopietën personale.
Franca u rikthye krejtësisht ndryshe në pjesën e dytë. Kylian Mbappe ngushtoi rezultatin në minutën e 48-të pas asistimit të Michael Olise, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë Bradley Barcola shënoi për 2-4.
Në minutën e 66-të, Mbappe realizoi golin e tij të dytë, duke e çuar rezultatin në 3-4 dhe duke rikthyer plotësisht emocionet në ndeshje.
Megjithatë, Anglia fitoi një penallti në minutën e 85-të, pas ndërhyrjes së gabuar të Malo Gusto ndaj Djed Spence. Saka u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe kompletoi tripletën personale për rezultatin 3-5.
Franca nuk u dorëzua dhe Ousmane Dembele shënoi në minutën e 96-të për 4-5. Vetëm dy minuta më vonë, Jude Bellingham vulosi fitoren e Anglisë, duke realizuar pas një kundërsulmi të shpejtë për rezultatin përfundimtar 4-6.
Në fund, Anglia siguroi vendin e tretë pas një prej ndeshjeve më spektakolare të turneut, ndërsa Bukayo Saka ishte heroi i takimit me tre gola të shënuar.
