Ballina Aktuale “Srebrenica” përshkallëzon krizën politike në Malin e Zi

“Srebrenica” përshkallëzon krizën politike në Malin e Zi

Parlamenti i Malit të Zi miratoi të enjten me një shumicë prej dy të tretash rezolutën që njeh dhe dënon gjenocidin në Srebrenicë në vitin 1995, në të cilën u vranë më shumë se 8.000 boshnjakë.

Marketing

Përmes kësaj rezolute, e cila edhe ndalon mohimin publik të ekzistencës ose relativizimin e këtij gjenocidi, 11 korriku shpallet gjithashtu dita e përkujtimit të viktimave të Srebrenicës.

Në të njëjtën ditë parlamenti shkarkoi ministrin e Drejtësisë, Vladimir Leposaviç, për shkak të deklaratës së tij, se në Srebrenicë nuk ka ndodhur gjenocid.

Për miratimin e rezolutës, të cilën e kërkoi opozita, votuan 55 deputetë, 40 nga opozita, por edhe 15 nga mazhoranca, kundër ishin 19 nga Fronti Demokratik në pushtet, 7 abstenuan. Pro ishin edhe URA dhe demokratët nga mazhoranca, pas miratimit të korrigjimit të tyre se faji për krimet në luftërat e viteve 1990 nuk mund t’i atribuohet asnjë kombi, por është individual, shkruan KosovaPress.

“Besoj se kemi dërguar një sinjal të qartë se Mali i Zi është qendra e demokracisë në rajon”, tha udhëheqësi i partisë Boshnjake Ervin Ibrahimoviç, ndërsa kreu i komunitetit islamik të Malit të Zi Rifat Fejziç tha se mbështetja e dy të tretave për rezolutën e gjenocidit të Srebrenicës forcon besimin në një të ardhme më e ndritur dhe se një Mal i Zi i tillë ecën në rrugë të sigurt drejt Bashkimit Evropian.

Rezolutën e përshëndetën edhe politikanët drejtues në Sarajevë. Anëtari i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zeljko Komshiç, tha se ky ishte një akt civilizimi dhe se Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia duhet të bënin të njëjtën gjë. Në të njëjtën kohë rezoluta u dënua ashpër në Serbi.

Exit mobile version