Stefanova: Janeva kërkonte që lëndët të mbyllen dhe të dyshuarit të mos shkojnë në burg

Prokurorja Lile Stefanova e lëndës “Perandoria” nëpërmjet një kumtese me shkrim ka reaguar ndaj akuzave në opinion për përfshirje eventuale në “Zhvatje” duke thënë se gjithçka ka qenë vepër e Katica Janevës. Në kumtesën e saj me shkrim, Stefanova ka shpjeguar se edhe lehtësimi i rrethanave për Jordan Kamçevin dhe gjithë vendimet e tjera i ka marrë vetë Janeva.

Marketing

Madje, ajo thotë se Janeva kokë më vete ka lejuar që Kamçevit ti kthehet pasaporta pa e konsultuar atë fare. Këtë gjë e ka marrë vesh prej kolegëve, pasi që ishte kthyer nga pushimi vjetor.

Stefanova shpjegon edhe një moment tjetër simptomatik se gjoja Janeva u ka dhënë urdhër që të ndalin hetimin për Perandorinë dhe të bëjnë një plan për dëmin që të dyshuarit ia kanë shkaktuar shtetit, që do të thotë se ka patur plan të bëjë marrëveshje me të dyshuarit pa mos shkuar ata as edhe një ditë në burg.

Stefanova, thotë se nuk është pajtuar me këtë fakt pasi hetimi ende nuk kishte përfunduar dhe kishte gjasa që të dilnin edhe fakte të reja, por se Janeva kishte qenë e prerë. Megjithatë Stefanova me prokurorin Burim Rrustemi kishin vazhduar të përpilojnë raport mbi këtë rast dhe i kishin shkruar edhe dënimet e mundshme me burg që parashikohen me Kodin Penal, pavarësisht se Janeva as që mendonte për të kërkuar burg për të dyshuarit.

“Më 16 prill të vitit 2019, në zyrën e Katica Janevës, u mbajt takim mes neve prokurorëve të PSP-së në të cilin ajo na i kumtoi disa vendime për rastin “Perandoria” dhe “Banka Postare”. Na u dha urdhër që më së voni më 6 maj të vitit 2019, ti dorëzojmë raporte për dëmin e shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit në të dy rastet e që të dyshuarit duhet t’ia paguajnë shtetit. Pastaj lëndët duhej të mbylleshin dhe të dyshuarit nuk duhet të shkonin në burg. Megjithatë unë me prokurorin Burim Rrustemi vazhduam me përpilimin e raportit dhe përpos dëmit të shkaktuar apo paratë që duhej ti paguanin të dyshuarit, kishim shënuar edhe dënimet eventuale me burg që janë në pajtueshmëri me Kodin Penal” ka shpjeguar Stefanova.

Stefanova thotë se ka instistuar që kjo lëndë të vazhdojë me hetimin pasi ende ka qenë herët për ta mbyllur dhe bërë marrëveshje ligjore me të dyshuarit, por se urdhri i Janevës kishte qenë i prerë.

Marketing