Në portin e Durrësit ka nisur sot “Defender Europe 21”, një stërvitje e përbashkët shumëkombëshe që do të zhvillohet në disa shtete të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama ka falënderuar SHBA-në për përzgjedhjen e Shqipërisë për zhvillimin e stërvitjeve, duke thënë se kjo dëshmon lidhjen e fortë që kanë dy vendet.
Në fjalën e tij, Rama kujtoi se komunizmi në Shqipëri rriti gjenerata në frymën antiamerikane, por se është i lumtur që brezat e rinj e vlerësojnë marrëdhëniet aktuale Shqipëri-SHBA.
“Gjenerata jonë lindi dhe u rrit deri në gjysmën e jetës këtu me idenë që ju nuk duheshit lënë të shkelni kurrë në këtë vend. Ne të gjithë u brumosëm nga propaganda e regjimit të shkuar me bindjen se ju jeni e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë jo vetëm Shqipërisë, por mbarë botës. Për gjeneratën tonë është një mrekulli e madhe që e ka ndarë jetën në mes dy botëve; asaj të vogël, të errët dhe komplet të izoluar dhe asaj ku ne mund t’i mirëpresim miqtë e shumtë dhe miqtë amerikanë”.
“Pas zbarkimit tuaj në Shqipëri, do t’iu ndodhë ajo që iu ndodh të gjithëve. Do të doni të riktheheni përsëri. Shqipëria nuk është një vend i këshilluar për të ardhur për shkak të steriotipeve që pengojnë marrëdhënien me botën, por është një vend që kush vjen do të vijë përsëri. Kam besim që kjo do të ndodhë edhe me ju”.
Rama ka thënë se amanetin e kësaj marrëdhënie strategjike për lirinë dhe demokracinë duhet të përcillet edhe për gjeneratat e ardhshme dhe kjo duhet të ndodhë në gjithë rajonin për t’u edukuar qysh në krye të herës me vlerat, parimet dhe standardet e larta të forcave të armatosura të NATO-s.
“Është një moment historik për ne të gjithë që na mbush me krenari dhe me përgjegjësi. Do të qëndrojmë krah për krah jush, që nga pikëpamja numerike nuk mund t’iu ofrojmë shumë, por nga pikëpamja e vlerave që e bëjnë këtë Aleancë unikale për botën tonë, dëshirojmë të jemi gjithmonë e më të denjë dhe të vyer brenda kësaj Aleance”.