Steven Seagal i dërguari special për të përmirësuar lidhjet Rusi-SHBA

Rusia ka emëruar aktorin amerikan, Steven Seagal, si të dërguarin special për të përmirësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Marketing

Seagalit iu dorëzua nënshtetësia ruse në vitin 2016, ndërsa ai e lavdëroi presidentin Putin si një nga udhëheqësit më të mëdhenj të botës.

I lindur në SHBA, ylli i arteve marciale fitoi famë ndërkombëtare me rolet e tij në filmat e viteve ’80-’90, një prej të cilëve edhe “Under Siege” (Nën rrethim).

Megjithatë, ai është gjithashtu edhe njëri prej yjeve të “Hollywood”-it, ndaj të cilit janë ngritur një sërë akuzash prej disa grave, për sjellje të pahijshme apo ngacmime seksuale, në vazhdën e skandaleve dhe fushatës “#MeToo”, akuza të cilat ai i ka mohuar.

Ministria e Jashtme e Rusisë e njoftoi këtë përmes faqes zyrtare në rrjetin social Facebook, duke thënë se pozicioni i papaguar ishte i ngjashëm me atë të ambasadorit të vullnetit të mirë në OKB, ndaj dhe Seagal do të duhet të promovojë marrëdhëniet SHBA-Rusi në “sferën humanitare”.

Ylli i “The Flight of Fury”, ende edhe sot tejet popullor mes audiencës ruse, ka mbrojtur kohët e fundit qeverinë ruse përballë pretendimeve se ajo ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Aktori 66-vjeçar e ka quajtur presidentin Putin, “një nga udhëheqësit më të mëdhenj të gjallë sot në botë”, ndërkohë që kur iu dorëzua nënshtetësia ruse, ai tha se shpresonte të bëhej simboli i përmirësimit të marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit. Seagal ka marrë edhe nënshtetësinë serbe në vitin 2016, pas disa vizitave të tij në vendin ballkanik.

Marketing