Ballina Aktuale Stoltenberg: Ne nuk do të tërhiqemi! NATO-ja nuk do të ndalet së...

Stoltenberg: Ne nuk do të tërhiqemi! NATO-ja nuk do të ndalet së ndihmuari Ukrainën

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca nuk do të heqë dorë nga mbështetja për Ukrainën.

Marketing

Ai u ka bërë thirrje partnerëve që këtë dimër të ndajnë më shumë ndihmë për Kievin, i cili rrezikohet nga përballja me mot të ftohtë dhe ndërprerje të rrymës, si pasojë e sulmeve ruse në infrastrukturën e energjisë.

Stoltenberg: Ne nuk do të tërhiqemi! NATO-ja nuk do të ndalet së ndihmuari Ukrainën
Stoltenberg: Ne nuk do të tërhiqemi! NATO-ja nuk do të ndalet së ndihmuari Ukrainën
Ndryshimi i fundit 20:46 29 Nëntor, 2022
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleanca nuk do të heqë dorë nga mbështetja për Ukrainën.

Ai u ka bërë thirrje partnerëve që këtë dimër të ndajnë më shumë ndihmë për Kievin, i cili rrezikohet nga përballja me mot të ftohtë dhe ndërprerje të rrymës, si pasojë e sulmeve ruse në infrastrukturën e energjisë.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s janë takuar në Bukuresht për t’u fokusuar në rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën, përfshirë sistemet ajrore për mbrojtje dhe municion.

Diplomatët janë duke shqyrtuar mundësinë e rritjes së ndihmës edhe për pajisje dimërore dhe mjekësore.

“NATO-ja do të vazhdojë ndihmën për Ukrainën aq sa të ketë nevojë. Ne nuk do të tërhiqemi”, ka thënë Stoltenberg në një fjalim në Bukuresht.

“Fokusi kryesor është mbështetja e Ukrainës dhe të sigurohemi që presidenti rus, Vladimir Putin të mos fitojë”, ka thënë ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar qytetarët e tij për sulme të reja ruse këtë javë, të cilat mund të jenë po aq të rënda sa ato të javës së kaluar, pasi kanë lënë miliona njerëz pa ngrohje, ujë dhe rrymë.

Rusia e pranon se është duke sulmuar infrastrukturën ukrainase, por deklaron se nuk është duke shënjestruar civilët.

“Do të jetë një dimër i tmerrshëm për Ukrainën, andaj ne duhet të rrisim mbështetjen”, ka thënë një zyrtar i lartë evropian.

Gjermania, e cila udhëheq presidencën e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7), e ka organizuar një takim të këtij grupi për të shqyrtuar mënyra si mund të rindërtohet infrastruktura ukrainase e energjisë.

Grupi G7 përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.

Uashingtoni është duke punuar me disa ofrues amerikanë të shërbimeve të energjisë dhe me disa shtete evropiane për të ndihmuar në rregullimin e stacioneve energjetike të dëmtuara nga sulmet ruse, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.

Megjithatë, një zyrtar i saj, që ka folur për media, nuk ka bërë të ditur për llojin e saktë të ndihmës dhe shumën e ndarë.

Franca dhe Gjermania kanë thënë se do të dërgojnë më shumë se 100 gjeneratorë të energjisë në Ukrainë, për të ndihmuar në stabilizimin e rrjetit të energjisë.

“Arsyeja pse Rusia është duke vazhduar këto krime lufte është sepse është duke humbur në fushëbetejë”, ka thënë një zyrtar francez, duke iu referuar sulmeve në infrastrukturën e energjisë.

Marketing
Exit mobile version