Struga para Championsit, Duro: Krenari për skuadrën dhe qytetin, jo gjithmonë fiton favoriti

Të martën në orën 18:00, Struga do të bëjë debutimin e saj në Champions League teksa shorti për raundin e parë të turneut prestigjioz e ka vendosur përballë Zalgiriz. Para përballjes me lituanezët foli në konferencë për shtyp trajneri i Strugës, Shpëtim Duro i cili theksoi se Zalgiris mund të niset favorit, mirëpo edhe skuadra e tij ka shanse mbi të gjitha duke pasur në organikë lojtarë me eksperiencë. Ndër të tjera, tekniku Duro shtoi se pjesëmarrja në Champions League është një krenari edhe për qytetin e Strugës.

Marketing

Ndeshja me Zalgiris? “E presim me interes këtë takim, është historik pasi është hera e parë që skuadra merr pjesë në Champions League. Jemi një skuadër e formuar prej gjashtë apo shtatë vitesh dhe kualifikimi në Champions është një arritje për skuadrën dhe qytetin. E presim me mjaft dëshirë dhe interes”.

Zalgiris favorit? “Jo më kot fola më sipër për eksperiencën e dy skuadrave në Champions, patjetër që në letër janë favorit për përvojën që kanë. Por, edhe ne jemi një skuadër e mirë me lojtarë të fortë e me përvojë dhe kemi mundësitë tona. Në futboll jo gjithmonë fiton favoriti, janë dy ndeshje dhe ne kemi shanset tona”.

Barazimi rezultat favorizues? “Sido që të zhvillohen situatat në ndeshjet me dy takime, nuk përfundon gjithçka që në ndeshjen e parë. Por, do të ishte avantazh një rezultat pozitiv”.

Eksperienca me terrenet artificiale? “Nuk kemi luajtur në terrene të tilla, favorizohet pak kundërshtari, por do të ambientohemi, këtë javë kemi zhvilluar disa stërvitje në terren sintetik”.

Zalgiris propozoi që të ndryshoheshin renditja e ndeshjeve dhe të luhej e parë në Strugë? “Nuk dua të zgjatem sepse ne do të respektojmë shortin dhe kaq. Kushtet janë normale”, u shpreh Duro.