Studentët e Universitetit të Tetovës krahas zhvillimit të procesit mësimor – shkencor, gjatë vitit akademik realizojnë edhe vizita me karakter pune në institucione të ndryshme të vendin tonë dhe më gjerë. Aktivitetet e tilla studentët i vlerësojnë të rëndësishme pasi që njihen për së afërmi me historikun, veprimtarinë, funksionimin dhe shërbimet që këto institucione i ofrojnë për qytetarët.
Më 3 prill 2019, një grup studentesh të programeve studimore, të: Drejtësisë, Kriminalistikës, Gazetarisë dhe Medies dhe Shkencave politike të Fakultetit Juridik të Universitetit tonë, një vizitë të kësaj natyre e realizuan në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup.
Studentët tanë, të udhëhequr nga profesorët, Prof. Dr. Arta Bilalli – Zendeli, Prof. Dr. Qashif Bakiu dhe Sekretari i Fakultetit Juridik, z. Ali Salihi, gjatë vizitës u takuan me përfaqësues, zyrtarë amerikanë dhe vendorë të Ambasadës së SHBA-ve.
Ata i njoftuan studentët e Universitetit të Tetovës me historikun, krijimin e kësaj ambasade në Shkup, strukturën organizative e menaxheriale, projektet, përkrahjen që kjo ambasadë ofron për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë përkrahjen për studentët dhe mundësitë që iu ofrohen atyre për të studiuar në të gjitha ciklet e studimeve në universitetet e SHBA-ve.
Vizitat dhe takimet e tilla e konfirmojnë bashkëpunimin e frytshëm arsimor – shkencor që Universiteti ynë e zhvillon me Ambasadën e SHBA-ve në kryeqendrën e vendit tonë.