Studimi, doza përforcuese e Modernës forcon imunitetin ndaj varianteve të COVID-it

Kompania Moderna tha të mërkurën se të dhënat e hershme të siguruara nga disa prova të kryera në njerëz tregojnë se një dozë e tretë e vaksinës aktuale kundër COVID-19-s apo një vaksinë e re eksperimentale forcojnë imunitetin ndaj varianteve të virusit, që u ndeshën për herë të parë në Brazil dhe Afrikën e Jugut.

Kompania tha se dozat përforcuese, dhënë personave që kanë marrë pjesë vullnetarish në prova klinike me dy doza të vaksinës Moderna, prodhuan gjithashtu një rritje të antitrupave kundër variantit origjinal të COVID-19-s.

Marketing

Të dhënat e hershme vijnë nga një provë e kryer tek 40 persona, ku u testuan dozat ekzistuese të vaksinës së kompanisë Moderna, sikurse edhe për një version të prodhuar për t’u mbrojtur nga varianti i Afrikës së Jugut, i quajtur mRNA-1273.351. Moderna po studion edhe një dozë që ndërthur vaksinën e re me atë ekzistuese.

Rezultatet tregojnë se ndërsa dozat përforcuese të secilit version të vaksinës rritën sasinë e antitrupave ndaj të gjitha varianteve të COVID-19-s, përforcuesi i ri ishte më efektiv kundër variantit të Afrikës së Jugut krahasuar me vaksinën origjinale.

“Të dhënat e reja na inkurajojnë. Ato forcojnë besimin se strategjia jonë përforcuese siguron mbrojtje ndaj varianteve më të reja të COVID-19-s”, tha në një deklaratë Stephane Bancel, drejtor ekzekutiv i kompanisë Moderna-s.

Të dyja dozat përforcuese përballoheshin mirë nga trupi, me efekte anësore të ngjashme me ato që kishin përjetuar vullnetarët në studime të mëparshme, kur kishin marrë dozën e dytë të vaksinës Moderna.

Variantet e reja të COVID-19-s, zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut dhe Brazil, mendohet të jenë më rezistente ndaj vaksinave ekzistuese. Raste të dy varianteve janë zbuluar edhe në Shtetet e Bashkuara, por sipas të dhënave federale të azhurnuara për herë të fundit në muajin prill, ato përbëjnë deri tani vetëm një pjesë të vogël të rasteve me koronavirus të identifikuara në vend.

Kompania Moderna pret që së shpejti të ndajë të dhëna shtesë për një tjetër dozë përforcuese që përzien vaksinën e saj ekzistuese kundër COVID-19-s me një të prodhuar rishtazi.

Moderna tha se shkencëtarët e Institutit Kombëtar amerikan të Alergjive e Sëmundjeve Infektive po kryejnë një studim të veçantë ende në fazën e hershme të tij lidhur me variantin afrikan të koronavirusit (mRNA-1273.351)./VOA