Ne shkrihu e norvozohu për politikëbërjen e Ali Ahmetin, e ai fito e këndo me çifteli
Zotëri Ali Ahmetin jo vetëm që e kemi kritikuar ashpër, por edhe e kemi ofenduar e sharë me shprehje më të këqija të mundshme, por kot. Ne shkrihu e nervozohu për politikën e tij shterpe, ai këndon me çifteli e fiton rradhazi. Ne krekosemi e pallim si gomerë ndaj tij, ai rri heshtur e qeshur si mbretër. Ne kujto e mendo se Alia është i dobët e i paditur, ai me BDI-në në heshtje fito e këndo politikisht. Ai në prapaskenë që nga marrëveshja e Ohrit, marrëveshjen me Greqine e tani me Bullgarinë i mposhti heshturazi e me durim jo vetëm partitë tjera shqiptare, por edhe partitë maqedonase.
Kur erdhi, Ali Ahmeti, Maqedonia nuk ishte askundi e ai me modestinë e heshtur politike, në njërën anë, eliminonte politikanët nacionalistë maqedonas, në anën tjetër Maqedoninë e çonte përpara, me Greqinë Maqedonisë ia ndërroi emrin nacional në atë gjeografike, Maqedonia Veriore, për t’u anëtarësuar në NATO, tani me propozimin francez, Ali Ahmeti me ministrin e tij të Punëve të Jashtme, RMV-në do ta bëjë anëtare të BE-së.
Ne kujto e mendo se partia e BDI-së është rëndë e korruptuar, në anën tjetër asnjëri prej ish-funksionarëve të Ali Ametit deri tani s’është i gjykuar e i dënuar. Partitë opozitare shqiptare, po edhe ato maqedonase që sa kohë mundohen me të gjitha forcat ta rrëzojnë nga froni qeveritar, e Ali Ahmeti me atë urtësinë e tij ndonëse naive, të heshtjes toleruese i çoi takëlla e teposhtëzë, barkazi në harresë, rradhazi e një nga një: Cërvenkovskin, Lupçe Georgievskin, Vllado Buçkovskin, Arbër Xhaferin, Menduh Thaçin, Rufi Osmanin, më keq ia bëri Gruevskit, sa për këto tri partitë e fundit të Zijadin Selës, Bilall Kasamit e Afrim Gashit as që ia ndien e i llogaritë si konkurrentë politikë.
Jo vetëm kaq, po Ali Ahmeti ju jep leksione edhe politikanëve dhe partive të Kosovës dhe Shqipërisë, është rekorder jo vetëm i fitoreve të njëpasnjëshme të BDI-së, por edhe i sukseve politike. Mos harrojmë se BDI-ja e Ali Ahmetit ka bërë luftë të dyfishtë politike në krahasim me partitë fituese në Kosovë e Shqipëri, BDI-ja ka luftuar kundër dy fronteve politike, një, kundër partive armiqësore maqedonase, dy, kundër partive opozitare shqiptare.
….
– Ne kritiko, ai fito;
– Ne e kemi sharë e nënçmuar, ai me të qeshur na ka fituar;
— Ne mendo se kurrë Kryetar i Parlamentit nuk mund të jetë shqiptar në RMV, Ali Ahmeti e bëri realitet;
– Ne mendo se kurrë Ministër i Punëve të Jashtme në RMV nuk mund të jetë shqiptar, Ali Ahmeti e bëri realitet;
– Ne mendo se kurrë Ministër i Financave në këtë republikë nuk mund të bëhet shqiptar, Ali Ahmeti e bëri realitet;
– Ne mendo se kryeministri shqiptar është ëndërr, ai në fund të mandatit qeverisës do ta bëjë kryeministrin shqiptar realitet.
Ne mendo se s’di, ai me fitore bën çudira.
Shtojcë:
Qëllimi i shkrimit: “Ne mendo se Ali Ahmeti s’di, ai me fitore bën çudira”, s’është t’i bëjmë elozhe Ali Ahmetit, s’është për t’iu afruar BDI-së, por të tregojmë të vërtetën e pamohueshme politike të Ali Ahmetit, të vetëdijësimit të partive opozitare shqiptare që të përçarë duan ta sfidojnë BDI-në e Ali Ahmetit.
Opozita e përçarë dhe e ndarë e merr edhe popullin shqiptar në qafë, kot ne gërvallemi me shkrimet tona nëse ata që duhet mundur Ali Ahmetin s’janë të bashkuar, po të përçarë e krye më vete.
Dallimi i Ali Ahmetit nga Menduh Thaçi, Zijadin Sela e Bilall Kasami është se, Ali Ahmeti shkon në zgjedhje parlamentare e lokale për ta mundur opozitën e përçarë, kurse këta të dytët, opozita shqiptare e përçarë në zgjedhje shkon vetëm për ta dëmtuar e jo për ta fituar Ali Ahmetin. Qëllimi i opozitës shqiptare duhet të jetë fitorja ndaj BDI-së, e jo dëmtimi i Ali Ahmetit me me pak se tre deputetë. Fitorja ndaj Ali Ahmetit e BDI-së bëhet vetëm me bashkimin e partive opozitare shqiptare e kurrsesi ndryshe.
@S.Mehazi