Sulme dhe tensione në veri të Kosovës

Situata e tensionuar në veri të Kosovës gjatë ditëve të fundit ka bërë që kryeministri Albin Kurti të mbledhë Këshillin e Sigurisë nga i cili para mediave doli me disa konkluzione. Kurti tha se nuk do të heqin dorë nga ligjshmëria dhe kushtetutshmëria duke shtuar se Kosova do të mbrohet me forcë dhe vendosmëri. Gjatë natës së shkuar në veri të Kosovës pati sërish tensione, ku shpërthime e të shtëna armësh kanë tronditur disa zona. Dy shpërthime të fuqishme, një rreth orës 1:30 pas mesnatës dhe tjetra në ora 3:00 janë dëgjuar afër Zveçanit, ndërsa në drejtim të Zubin Potokut ka pasur edhe të shtëna armësh. Barrikadat nga grupe të panjohura dhe të armatosura janë përforcuar gjatë natës me makineri të rëndë, sidomos në fshatin Soqanicë dhe Rudare. Janë sulmuar ekipe gazetarësh por edhe ekipe të minisionit ndërkombëtar EULEX.

Marketing

“Beogradi zyrtarë sot po flet dhe sillet si para 23 viteve dhe madje udhëhiqet nga një kastë e njëjtë politikanësh me në krye ish-ministrin e informatave të Millosheviqit dhe ish zëdhënësin e partisë së Millosheviqit. Serbia nuk po e fsheh se kërkon rikthim në Kosovë, pra, në esencë kërkon të vazhdojë luftën, luftën të cilën e humbi dhe kapitullimin e pranoi aso kohe në Kumanovë më 9 qershor të vitit 1999. Andaj edhe mohimi i shtetit dhe pavarësisë tonë nga ana e Serbisë, përbën kërcënim të vazhdueshëm jo vetëm për shtetin tonë por edhe për ekzistencën tonë”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla hodhi poshtë akuzat e Beogradit zyrtar, se policia e Kosovës po terrorizon komunitetin serb në këtë pjesë të Kosovës. Sveçla tha se në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in, policia e Kosovës bën vlerësimin për nevojën e ndërhyrjes për të larguar barrikadat e grupeve kriminale në Veri.

“Unë tashmë bëra apel që këto barrikada të hiqen. Patjetër që policia e Kosovës ka kapacitetet e duhura që të veprojë në këtë drejtim. Ajo bën planet e saja operative dhe në momentin që ata e vlerësojnë të duhur, në qoftë se barrikadat nuk hiqen ata do të ndërmarrin veprimet e duhura. Gjithë kjo është duke ndodhur në koordinim me partnerët tanë KFOR-in dhe EULEX-in dhe mendoj se shumë shpejtë do të arrijmë në situatën ku s’do të ketë barrikada në këto dy rrugë nacionale”, u shpreh Xhelal Sveçlla, ministër i Brendshëm i Kosovës.

Kryeministri Kurti ka kërkuar nga KFOR-i që të garantojë lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës. Ndërsa u bëri thirrje civilëve serb të mos rreshtohen me grupet kriminale.

“U bëj thirrje edhe një herë qytetarëve serb që ashtu si unë i dalloj prej bandave kriminale, strukturave kriminale, duke i konsideruar qytetarëve me të drejta e liri, në të njëjtën tonë ata kudo që janë në komunitetet e tyre të mos u bashkangjiten çfarëdo thirrjeve prej këtyre grupeve kriminale që mund t’ju bëhen tash e në vijim”, shtoi Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Incidentet në veri filluan ditë më parë pasi KQZ-ja shpalli zgjedhjet lokale në katër komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviç, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut. Atje u sulmuan fillimisht anëtarë të KQZ-ja dhe më pas edhe zyrtarë policor. Zgjedhjet që duhet të mbaheshin më 18 dhe 25 dhjetor tani janë shtyrë për në pril