Sulmet kibernetike, Osmani: Nevojitet bashkëpunim më i madh

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në fjalimin e tij, në margjinat e Seancës së 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, iu referua sfidave në hapësirën kibernetike me të cilat ballafaqohet Maqedonia e Veriut.
Osmani tha se sulmet kibernetike janë karakteristikë edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, trend ky që veçanërisht u intensifikua pas fillimit të invazionit ushtarak rus në Ukrainë.
“Strategjia nacionale për siguri kibernetike është një nga shtyllat e sistemit për forcimin e kapaciteteve për mbrojtje kibernetike, mbrojtje të infrastrukturës kritike të informacionit, ngritjen e vetëdijes për sigurinë e informacionit dhe kulturën e sigurisë së të gjithë vepruesve në hapësirën kibernetike. Maqedonia e Veriut në vazhdimësi bashkëpunon me të gjitha palët e interesuara, sektorin e biznesit, komunitetin hulumtues dhe akademik, si dhe me shoqërinë civile, për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për këto sfida.”, tha Osmani.
Shefi i diplomaciesi bëri këto komente në takimin me temë: “Formësimi i sigurisë kibernetike globale –Thirrje për aksion për promovimin e sjelljes së përgjegjshme të shtetit dhe ndërtimin e sapaciteteve”, nikoqir të së cilit ishin Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Francës, Katerin Kolona.