Sulmi me 11 viktima në sinagogë, ngrihen akuzat

Ndaj personit të dyshuar për vrasjen e 11 njerëzve në një sinagogë të Pittsburghut, tashmë janë ngritur akuzat për vrasje, në atë që besohet të jetë sulmi më i rëndë antisemitik në historinë e viteve të fundit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Marketing

Robert Bowers, 46 vjeç, akuzohet për hapje zjarri në sinagogën “Pema e jetës” gjatë shërbesës së fundit që po kryhej aty, të njohur me emrin “Sabbath”. Ai përballet tashmë me 29 akuza penale, përfshi edhe përdorimin e armëve të zjarrit për të kryer një vrasje.

Prokurorët federalë thanë se do të ngrejnë ndaj tij edhe akuza për krim nga urrejtja, duke bërë që i dyshuari të përballet me mundësinë e dënimit me vdekje.

Presidenti amerikan Donald Trump e përshkroi sulmin si një “akt djallëzor vrasjeje masive”. Gjashtë persona, përfshi 4 oficerë policie, mbetën të plagosur në sulmin e së shtunës. I dyshuari mbeti gjithashtu i plagosur, pas shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Qindra njerëz nga mbarë Pittsburghu u mblodhën më pas për nderimin e viktimave. Presidenti Trump njoftoi se do ta vizitonte Pittsburghun së shpejti, ndërkohë që urdhëroi uljen e flamujve amerikanë në gjysmështizë në godinat qeveritare deri më 31 tetor.