Sulmi terrorist në Kosovë/Interpol lëshon urdhër arrest për Milan Radoiçiç

Radoiçiç konfirmon pjesëmarrjen dhe organizimin e sulmit në Banjskë
Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiç, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës.

Marketing

Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Nenad Rashiç, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ai tha se fletarrestimi është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Meqë Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, fletarrestimet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë.

INTERPOL-i i tha Radios Evropa e Lirë se nuk komenton për rastet ose individët specifikë.

Nga kjo agjenci sqaruan se, me kërkesë të vendeve anëtare dhe pas verifikimit të pajtueshmërisë, ata lëshojnë të ashtuquajtura “njoftime të kuqe”.

“Njoftimi i kuq” i alarmon policitë në gjithë botën për të arratisurit që kërkohen ndërkombëtarisht dhe ndihmon në sjelljen e tyre para drejtësisë. Megjithatë, është në kompetencën e vendeve anëtare të INTERPOL-it për të vendosur nëse do të arrestojnë një person ose jo.

Çka ndodhi në Banjskë? Radoiçiç mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përmes një letre publike të lexuar nga avokati i tij më 29 shtator, Radoiçiç tha se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës.
Ai e mohoi përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë në këtë sulm.

Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, u mor në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në muajin tetor dhe u ngarkua me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Megjithatë, gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi, por ia konfiskoi dokumentet.

Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjëse udhëheqjen shtetërore të Serbisë për sulmin që nxiti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa Serbia e mohoi përfshirjen dhe drejtoi gishtin kah serbët e Kosovës.