Sveçla nga Shkupi: Nuk do të lejojmë që kërkesat e vendeve të treta të vështirësojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla sot në Shkup pas takimit me homologun e tij, Pançe Toshkovski ka folur edhe për rastin e arrestimit Burim Ramadani në vendkalimin Jazhincë për shkak të një fletëarresti të Interpolit të lëshuar nga Serbia.

Marketing

Ministri Sveçla theksoi se nuk duhet të lejohet që vendet e treta të vështirësojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe se këtë sipas tij e qartëson edhe Gjykata e RMV-së

“Nuk do të lejojmë që një pretendim penal i një vendi të tretë, i cili nuk ka bazë juridike as në të drejtën ndërkombëtare, të pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, tha ministri Sveçla.

Në përgjigje të pyetjes në lidhje me kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, i cili u ndalua javën e kaluar në vendkalimin në Jazhincë, Ministri i Brendshëm i Kosovës thotë se gjykata maqedonase tashmë ka vendosur për rastin.

” Mendoj se për rastin duhet të pyesni në Ministrinë e Drejtësisë, që mbulon këtë fushë. Sa i përket ekstradimit të shtetasit tonë me kërkesë të Serbisë, për atë rast ka një deklaratë, ka vendosur edhe gjykata në Republikën e Maqedonisë. Ne jemi të gatshëm të flasim dhe të punojmë si dy vende fqinje dhe si dy vende mike dhe nuk do të lejojmë që kërkesat kriminale të një vendi të tretë që nuk kanë bazë ligjore dhe as bazë ligjore në të drejtën ndërkombëtare të pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, theksoi ministri Sveçla.

Për kërkesën e sotme të ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, që Kosova të ekstradojë Alil Demirin dhe Afrim Ismailoviqin, të dy të dënuar me burgim të përjetshëm në rastin e njohur si “Monstra”, Sveçla theksoi se kjo kërkesë nuk ka të bëjë me arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani. Ai tha se për rasti e dy shtetasve të Maqedonisë në Kosovë, duhet të kërkohet përgjigje nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë.

“Për rastin që ju e përmendët, unë besojnë që është e udhës që të pyetet Ministria e Drejtësisë, dikasteri i cili mbulon këtë fushë, kurse sa i takon arrestimit dhe kërkesës për ekstradim nga Serbia për shtetasin tonë, për raste të njëjta është deklaruar vetë gjykata e Maqedonisë së Veriut. Dmth që ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë si dy vende fqinj, dy vende mike, dhe nuk duhet të lejojmë që kërkesat kriminale të një vendi të tretë, që nuk kanë asnjë bazë lidhore as në të drejtën ndërkombëtare, të vështirësojë qarkullimin e lirë të qytetarëve të dy vendeve”, deklaroi mes tjerash Sveçla.

Ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, me kërkesë të Prokurorisë për Krim të Organizuar i është caktuar masa e paraburgimit ekstradues prej 30 ditësh. Ai u ndalua më 17 korrik 2024 në vendkalimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë dhe u transferua menjëherë në burgun e Shutkës në Shkup.