Kryeministri Zoran Zaev ka paralajmëruar mbajtjen e takimit të liderëve deri në fund të vitit lidhur me eurointegrimet, krizën e kovidit dhe pika tjera me interes për qytetarët. Pret që takim të tillë të thirr presidenti Stevo Pendarovski, por nëse nuk cakton takim liderësh shefi i shtetit, atëherë atë do ta bëjë ai.
“Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski e ftoi presidentin e shtetit të thirr takim liderësh, por nuk jam në rrjedha se çka ndodhë. Nëse nuk thirret një takim i tillë liderësh, unë do e kisha kontaktuar sot- nesër presidentin e shtetit për një qëllim të tillë, nëse jo, me siguri unë deri në fund të vitit do të thirr takim liderësh edhe për shkak të eurointegrimeve, por edhe për shkak të përballjes me krizën e kovidit dhe të gjitha sferat tjera me interes për qytetarët për të cilat do të mund të diskutojmë në takim”, ka thënë Zaevi duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në kuadër të llogaridhënies së qeverisë në 100 ditët e para të mandatit.
Ai ka theksuar se pushteti dëshiron të ndërtojë konsensus për më shumë çështje dhe projekte dhe se një projekt i tillë është ai për Qendrën e re klinike.
“E dini se lëshuam një projekt ku duam të ndërtojmë konsensus kombëtar dhe ndërkombëtar, ai është projekti për Qendrën klinike. Jam i sigurt se përfundimisht mund të rreshtohemi pas një pune të rëndësishme, projekt madhor në shtet veçmas në një kohë të tillë, ai është projekt i shëndetësisë. Jemi të gatshëm të punojmë bashkë me opozitën, të delegojmë të drejta të kontrollit përmes shumicës në vetë opozitën, por na duhet gjetje e projekteve pas së cilës do të rreshtohemi bashkërisht. Kemi për shumëçka të bisedojmë. Nëse presidenti i shtetit thirr takim liderësh unë do të jem prezent, nëse jo unë do ta thërras deri në fund të vitit”, tha kryeministri.