Zhvillimet e fundit politike në vend ishin në fokusin e bisedimeve që dje realizuan liderët e dy partive politike , ai i BDI-së dhe PDSH-së, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi. Sipas njoftimit të lëshuar nga PDSH-ja, Menduh Thaçi ka potencuar rëndësinë e ndryshimit të nenit të kushtetutës së RMV ku formulimi matematikorë 20% në lidhje me shqiptarët të zëvendësohet me formulim adekuat si (populli shqiptar, gjuha shqipe).
“Dje në ambientet e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut u realizua takim në mes kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare z. Menduh Thaçi dhe kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim z. Ali Ahmeti. Me këtë rast z. Menduh Thaçi e informoi z. Ali Ahmeti me rezolutën e fundit të kongresit të VIII të PDSH-së e cila ka të bëjë me ndryshimin e nenit të kushtetutës së RMV ku formulimi matematikorë 20% në lidhje me shqiptarët duhet të zëvendësohet me formulim adekuat si (populli shqiptar, gjuha shqipe). Poashtu në këtë takim u bisedua edhe për aktualitetin politik në vend dhe më gjerë. Bashkëbiseduesit ranë dakord që takimet e tilla të vazhdojnë edhe me faktorë tjerë politik, ekspertë të lëmisë dhe shoqëritë civile”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga PDSH-ja.