Të hënën nis Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare

Gjithçka është gati për Seminarin e 37 për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Shumë studentë të huaj të interesuar të mësojnë gjuhën shqipe, ata tashmë kanë filluar të vijnë në Prishtinë. Seminari konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme shkencore e kulturore e Albanologjisë në botë.

Marketing

Drejtori i Seminarit, Rrahman Paçarizi në një intervistë për KosovaPress thotë se edhe këtë vit interesimi për seminarin është i madh.

Albanologu po ashtu bëri të ditur se këtë vit Rektorati i UP-së është kujdesur që me kohë t’i sigurojë mjetet financiare për Seminarin, gjë që më parë nuk ka qenë kështu.
“Ne tashmë kemi kryer të gjitha përgatitjet teknike.

Gjithashtu, para disa muajsh kemi përpiluar edhe programin dhe jemi përcaktuar për punimet të cilat janë pranuar në bazë të abstrakteve. Do të thotë gjithçka është e gatshme, vetëm presim që më datën 18 dhe 19 të nisin të vijnë mysafirët e parë në mënyrë që me 20 gusht të bëhet hapja solemne e edicionit të 37 të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare”, thotë ai.

Profesori në Universitetin e Prishtinës bën të ditur se edhe këtë vit seminaristët vijnë nga vende të ndryshme të botës.
Ndërsa tregon se krahas seminaristëve, nuk është i vogël numri i studiuesve që do të marrin pjesë në sesionet dhe tryezat shkencore.

“Janë paraqitur diku rreth 160-170 pjesëmarrës për ndjekjen e kurseve që do të rrinë gjatë dy javësh. Mirëpo ne nuk i kemi pranuar të gjithë sigurisht. Kemi bërë një seleksionim në bazë të rekomandimeve që na kanë dërguar profesorët e tyre apo udhëheqësit e katedrave.

Ne i kemi pranuar diku rreth 120-130 nga aplikantët dhe presim që rreth 100 prej tyre të jenë të pranishëm gjatë dy javësh sa mbahet seminari për t’i ndjekur kurset e gjuhës shqipe në tri nivelet”, thekson ai.
Temat që do t’i trajtojë seminari, Paçarizi thotë se do të zhvillohen përgjatë tri sesioneve, ndërsa thekson se për dy sesionet e para, atë të gjuhës dhe letërsisë, ka interesim të jashtëzakonshëm të pjesëmarrësve.

“Zakonisht interesimi është më i madh për sesionin e Gjuhës dhe atë të Letërsisë. Ndërkaq sesioni i Kulturologjisë pati shënuar një rënie vitin e kaluar. Por sivjet sërish është dëshmuar një interesim solid për këtë sesion, në të cilin sivjet do të diskutohet për median në epokën e digjitalizimit. Në sesionin e gjuhësisë do të flitet për ‘shqipen në diasporë – diasporat e shqipes’, ndërkaq në sesionin e letërsisë tema boshte do të jetë ‘Topika e shqipes’”, thotë ai për KosovaPress.

Veç kësaj, Paçarizi theksoi se “50 vjetori i Konsultës Gjuhësore të Prishtinës”, “Skënderbeu në letërsinë shqipe” dhe “Edukimi medial” do të jenë temat e tryezave të seminarit të 37.

Ai flet edhe për rëndësinë e madhe që ka ky seminar.
“Ajo çka mund t’ju them është se seminari ka arritur të përgatisë albanolog të huaj të cilët pastaj kanë hapur dhjetëra katedra nëpër universitete të njohura të Evropës në të cilat mësohet shqipja, apo katedra të veçanta në të cilat studiohet albanologjia si e tillë.

Gjithashtu, seminari arrin që për çdo vit të mbledhë së paku 50-60 të rinj e të reja nga vende të ndryshme të Evropës, edhe nga vende të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe për të cilët është vështirë të lëvizin në Kosovë. Pastaj që janë të ngarkuar me paragjykime të ndryshme për Kosovën dhe kur vijnë këtu ata kthehen me një pasqyrë krejt ndryshe dhe të kundërt madje lidhur me Kosovën”, u shpreh ai.

Bënë të ditur se përmes këtij seminari, është arritur të krijohen lidhje të veçanta me universitete të ndryshme dhe institute të shumta që merren me albanologji, ku përfitimet nuk janë të pakta.

“Duke u nisur nga ky bashkëpunim ne tashmë kemi ndërtuar njëfarë reciprociteti me universitete të ndryshme. Ne, për shembull, disa herë kemi marrë pjesë në disa konferenca shkencore në Berlin. Pastaj marrim pjesë në konferenca të organizuara në Prag, në disa universitete të Polonisë, e të mos flasim për universitetet e Italisë, sidomos të asaj Jugore. Me që arbëreshët që nga fillimi e deri tash janë paradigma e këtij seminari.

Natyrisht, viteve të fundit mund të krenohemi me aktivizimin e arbëreshëve të Zarës, të cilët janë të shumtë dhe janë shumë produktiv në punimet e seminarit në këto 5-6 vitet e fundit”, potencoi albanologu.

Krejt në fund, Paçarizi thekson se seminari ka dy produkte të vetat të botuara, e që përfshijnë përmbledhjen e punimeve të cilat prezantohen në seminar dhe revistën shkencore, e cila, siç thotë ai, është pothuajse e pavarur nga seminari.
Ndryshe, hapja solemne e Seminarit XXXVII, do të bëhet të hënën, më 20 gusht 2017, ndërsa punimet do të zhvillohen në Prishtinë nga 20 – 31 gusht.

Marketing