“Të lutem më nxirr nga këtu”/ Lufta në Izrael, Hamasi publikon video të pengjeve

Hamasi publikon video të pengjeve

Marketing

Hamasi ka publikuar një video nëpërmjet të cilës tregon se mban ende personat e rrëmbyer gjatë sulmit shkatërrues ndaj Izraelit më 7 tetor. Mediat e huaja shkruajnë se gruaja që tregohet në video po merr trajtim mjekësor, ndërsa ajo kërkon që të bashkohet me familjen.

Ky është apeli i nisur në videon e parë të publikuar nga Hamasi për një nga 200 pengjet e marra në Gaza në shpërthimin e përgjakshëm të 7 tetorit në jug të Izraelit.

“Unë jam Maya Sam, jam 21 vjeç nga Shoham. Aktualisht jam në Gaza. U ktheva herët në mëngjes të shtunën nga një festë në zonën e Sderotit. E kam lënduar rëndë dorën. Më sollën në Gaza dhe më çuan në spital këtu për tre orë. Ata u kujdesën për mua dhe më dhanë ilaçe. Unë vetëm ju kërkoj që të më ktheni në shtëpinë time sa më shpejt të jetë e mundur, te familja ime, te prindërit e mi, te vëllezërit e motrat e mia. Të lutem më nxirr nga këtu sa më shpejt”, tha Maya.

Pas publikimit të videos kanë reaguar edhe familjarët e saj konfirmuan se ishte vajza e tyre dhe se ishin shumë të lumtur që ajo ishte gjallë.

Të paktën 99 izraelitë dhe të huaj u kapën nga persona të armatosur të Hamasit në një sulm ku mbetën të vrarë 1,300 persona. Ushtria izraelite në një deklaratë të saj tha se ishte në kontakt të vazhdueshëm me familjen e 21-vjeçares Mia Schem dhe se dënon Hamasin si organizatë terroriste. Gjithashtu njoftoi se Izraeli po përdor të gjitha masat inteligjente për të kthyer të burgosurit.

Më herët, një pjesëtar i grupit të armatosur të Hamasit tha se shtetasit e huaj të rrëmbyer më 7 tetor, do të liroheshin, por duke mos dhënë një datë të saktë, sipas Reuters.