Liderët e partive politike parlamentare do të mblidhen ditën e martë për të rishqyrtuar propozim ligjin për Prokurori Publike.
Takimin e mundshëm të paralajmëruar, një ditë më parë, nga kryeministri Zoran Zaev, e konfirmoi edhe partia e Hristijan Mickovskit, VMRO DPMNE. Mirëpo, kjo e fundit kërkon që veç pr/ligjit për Prokurori Publike të diskutohet edhe mundësia për zgjedhje të parakohëshme Parlamentare.
“Takim liderësh do të mbahet të martën. Më shumë detaje për takimin e liderëve nuk kam. Shpresoj se do të diskutohen çështjet të cilat kanë mbetur të hapura, posaçërisht për fatin e prokurorisë si dhe pikat për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, u shpreh Igor Nikollov nga VMRO DPMNE.
Një ditë më parë, grupet punuese nuk shënuan progres në tejkalimin e dallimeve për çështjet thelbësore. Madje sipas, ministres së drejtësisë, Renata Deskoska, vendimi i Prokurorisë Publike për të marrë nën kompetencë të gjitha lëndët dhe materialet që disponon Specialja ka demotivuar vazhdimin e bisedimeve dhe miratimi i ligjit për PP nuk duket aq me urgjencë.
Megjithatë, konsideron se bisedimet duhet të vazhdojnë dhe Ligji të miratohet me konsensus.
Përfaqësuesit e VMRO DPMNE-së nga ana tjetër, konsiderojnë se propozimi i Janevës për të dorëzuar materialet në Prokurorinë Publike dhe miratimi i këtij propozimi nga vetë Prokuroria janë bërë në koordinim me qeverinë.
Por, pavarësisht kësaj ata mbeten në dialog me pushtetin për të diskutuar çështjet kyçe për të cilat kanë dallime.