Të shtunën do të ketë takim mes kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoskit. Siç mëson TV 21, Mickoski do të takohet edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Takimi ka të bëjë me formimin e Qeverisë teknike që i paraprinë zgjedhjet parlamentare të 12 prillit.
Por, nga ana tjetër Zaevi ka “kërcënuar” me anulim të zgjedhjeve. Ky “kërcënim”, sipas BDI-së dhe VMRO-DPMNE, është i pa bazë.
Sipas Bujar Osmanit të BDI-së, partitë do të arrijnë marrëveshje për miratim të ligjeve siç kërkon LSDM-ja dhe prandaj s’do të ketë nevojë që të anulohen zgjedhjet.
“Ligjërisht, për shpërndarje të Kuvendit duhet 61 deputetë që do të thotë se duhet vullnet i shumicës dhe jo vetëm i një individi. Por, unë nuk mendoj se tani mund të flasim për prishje të konsensusit të arritur te presidenti. Ka disa dallime ndërmjet partive politike mirëpo partitë janë në koordinim e sipër dje dhe sot dhe pres që të arrihet një konsensus që edhe shteret agjenda e Parlamentit deri në fund të vitit të ri siç kërkon LSDM por edhe të respektohet marrëveshja”, deklaroi Bujar Osmani nga BDI-ja.
Nga ana tjetër Naum Stoilkovski i VMRO-DPMNE ka vlerësuar se anulimi i zgjedhjeve nuk mund të bëhet pa dakordim të partive politike. Sipas tij, kërcënimi i Zaevit është tregti me ligje.
“Data e zgjedhjeve, gjegjësisht se kur do të ndodhin zgjedhjet ishte marrëveshje në pallatin presidencial nga të gjitha partitë politike relevante. Atë që Zoran Zaev po përpiqet tash, është të t’i ikë përballjes me realitetin se nuk ka pasur dhe nuk ka kredibilitet ta udhëheqë republikën e Maqedonisë. Ajo që përpiqet Zaevi tash është të bëjë tregti të re me ligjet”, tha Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.
Në takimin e liderëve të mbajtur te presidenti Stevo Pendarovski, u dakordua që më 12 prill të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në përputhje me procedurat, 90 ditë para zgjedhjes duhet të formohet Qeveria teknike ose në këtë rast kjo duhet të ndodh më 3 janar. Kryeministri Zaev disa herë tha se në vitin 2020 do të ketë zgjedhje, por a do të mbahen ato më 12 prill, do të varet nga qasja e opozitës ndaj Kuvendit.