Ansambli shtetëror i valleve dhe këngëve shqipe në Maqedoninë e Veriut përmes një komunikate ka informuar gjithë shqiptarët kudo që janë se koncerti për nder të ditës së flamurit 28 nëntori, i paraparë për tu mbajtur në Shtëpinë e Armatës në Shkup, do të anulohet për një kohë të pacaktuar, për shkak tërmeteve që kapluan Shqipërinë, e ku si pasojë humbën jetën 16 persona.
Ata njëherit shprehën ngushëllimet më të sinqerta deri tek familjarët e viktimave.
Më poshtë ju sjellim komunikatën e tyre:
“Të nderuar shqiptarë ngado që jeni!
Në këto momente dhembje e trishtimi, pas tërmetit në Durrës ku po kalohen momentet më të vështira dhe po luftohet për jetë ose vdekje, Ansambli shtetëror i valleve dhe këngëve shqipe në Maqedoninë e Veriut, si institucion shtetëror, shpreh dhembjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta familjeve që humbën më të afërmit e tyre.
Pasojat tashmë janë të pariparueshme, andaj, si institucion solidarizohemi me vëllezërit e motrat në Shqipëri dhe iu njoftojmë se koncerti i paraparë për 28 nëntor në Shtëpinë e Armatës në Shkup do të anulohet për kohë të pacaktuar.
Shqiptarët janë mirë, kur është mirë Shqipëria!”