Aeroporti ndërkombëtar i San Franciscos dhe kompania ajrore “United Airlines” janë bërë të parët që kanë nisur testimin e një kontrolli biometrik vetëm me skanim fytyre.
Ky kontroll i ri shmang kontaktet fizike. Kjo do të thotë se në aeroport nuk do të ketë vazhdimisht kontroll të dokumenteve.
Kontrolli i ri biometrik do të thotë se tani udhëtarët duhet të skanojnë fotografinë e patentë shoferit.
Më pas mund të vazhdojnë tutje, nga hyrja deri te dorëzimi i valixheve, sigurimi dhe kufiri, me një veprim fare të thjeshtë, duke e skanuar fytyrën në secilën pikë kontrolluese, duke shpëtuar kështu nga nevoja për ta treguar vazhdimisht pasaportën.
Sherry Stein, që është në krye të strategjisë teknologjike, shpjegon mënyrën e identifikimit në kontrollin e ri biometrik.
“E skanoni patentë shoferin, fotografoheni, pastaj ecni tutje. Më pas në secilën pikë kontrolli, e bëni shpejt nga një fotografi. Ajo e verifikon identitetin tuaj dhe verifikon se keni pasaportë”, ka thënë Stein.
Udhëtarët do të mund të kenë qasje në sallat e pritjes në aeroporte duke e përdorur njohjen e fytyrës. Kjo do të bëhet sapo të rihapen sallat e pritjes në aeroport që janë mbyllur për shkak të pandemisë.
Teknologjia, e krijuar nga kompania teknologjike me seli në Zvicër, SITA, tashmë ekziston për fluturime ndërkombëtare në disa aeroporte nëpër botë, përfshirë Athinën, Pekinin dhe Dohën.
Por kjo është hera e parë që po përdoret për fluturimet brenda SHBA-së, që sipas SITA-s përbëjnë rreth 80 për qind të tregut ajror amerikan.
Teknologjia e shton sigurinë pasi zvogëlohet kontakti fizik mes udhëtarëve dhe stafit të aeroportit. Ky proces merr edhe më pak kohë dhe i zhduk radhët e gjata nëpër aeroporte.
SITA u është përgjigjur shqetësimeve në lidhje me sigurinë, duke thënë se të dhënat biometrike ruhen vetëm në aeroport dhe fshihen automatikisht pas fluturimeve.
Një udhëtar i rregullt është shprehur i kënaqur me këtë mundësi.
“Udhëtoj goxha shumë me aeroplan për punë, pothuajse 240 kilometra në vit. Kështu që jam udhëtar goxha i rregullt dhe gëzohem kur ka zhvillime që më kursejnë sadopak kohë e mund”.
Sipas SITA-s, nëse ky testim do të ketë sukses, kjo teknologji mund të zgjerohet edhe nëpër aeroportet dhe linjat e tjera ajrore në SHBA.