“TETOVA E DITËVE TË MIA”

Nga Ismail Arsllani

M’u avitën një ditë vere tropikale, vrullshëm, pa ndonjë parandjenjë, imazhet e Tetovës së dikurshme, të Tetovës së “ditëve të mia…”, të asaj kohe kur s’ishin në këtë “botë kalimtare” njëzetvjeçarët, tridhjetëvjeçarët e as dyzetvjeçarët e sotëm, kur Tetova ishte një kasaba vetëm me 26 mijë banorë. Ky qytet, atëherë, ishte rritur paksa, kishte më shumë banorë se sa kur doli nga katrahura e Luftës së Dytë Botërore, apo nga koha e “Shqipërisë së madhe” të viteve 1941-1944, kur ishte një (nën)prefekturë.

Kjo Tetovë, megjithatë, mori krah zhvillimi në dhjetëvjetëshin e parë e të dytë të pas luftës, përkundër trysnive komuniste. U ngrit nga hiri, si feniksi…

Marketing

Me regjistrimin e popullsisë në vitin 1961, kur po merrte fund dyndja e madhe me dhunë e shqiptarëve për në Turqi, Tetova, përsëri, kishte mjaft banorë, që të radhitet në mesin e pesë qyteteve më të mëdhenj në Maqedoni, pas Shkupit, Manastirit, Prilepit dhe Kumanovës.

Ky vërshim kujtimesh për të kaluarën e Tetovës, të cilën moshat e reja s’e njohin ashtu siç ka qenë disa dhjetëvjetësha më parë, po më shërben si një temë e lehtë verore, si një puhizë pas një vape përcëlluese, si një skicë për një përsiatje më serioze e më të thellë krijuese për kohërat e perënduara dhe për imazhet që u flakën kaherë nga kujtesa e më të moshuarve…

Tetova asaj kohe ishte një vendbanim i bukur, me shumë gjelbërime dhe kopshte të mëdha shtëpish. Nëpër bahçet e Tetovës, mes për mes apo pranë mureve me “kapixhiqe”, që ndanin fqinjin nga fqinji, rridhnin qetazi vijat e ujit, përroskat, këto “relikte” të mbetura osmane, të njohura si “brazda”, që ruheshin të pastra për nevojat e amvisërisë, si ujë teknik, në mungesë të çezmave.

Tetova e “ditëve të mia…”, asokohe, nuk ishte “e ngjitur”, në veri dhe në jug, me paralagjet e sotme Reçicë e Vogël dhe Poroj. Flas për Tetovën e asaj kohe, kur nuk ishte as lagjja e re Drenovc bri stadiumit të qytetit, atëherë kur s’kishte dy stadiume të futbollit. Pranë stadiumit të vjetër ishte lokaliteti i quajtur “Cigllana”, ku piqeshin tullat për shtëpitë e reja që ndërtoheshin shumë rrallë. Aty pranë bëhej edhe fshirja e grurit, gjatë korrikut përcëllues nga dielli një pëllëmbë përmbi kokë, i nxehtë si saçi, me kalin që rendte pafundësisht rreth e rrotull një huni mbi kallinj gruri.

Shumë tetovarë sot, mbase, nuk e dinë se në lokacionin prapa Stadiumit të ri, ku u ndërtua së voni një shkollë e re dhe shumë më parë u ngrit një pompë e benzinës, kishte një terren tenisi, i rrethuar me tela, prej nga fëmijët shikonin bijtë e “buxhave” komunistë ku luanin tenis, ndërsa aty pranë ishin pjesë të braktisura të varrezave myslimane dhe hijet e rënda të plepave të lartë. Aty ishte edhe varri i trimit tetovar, Alirami Jakupi, toger i batalionit ushtarak shqiptar “Luboten”, i cili u vra në prill të vitit 1943, me idealet për “Shqipërinë etnike”, gjatë luftimeve kundër partizanëve në Pogradec. Ky varr, sikundër disa të tjerë, u tretën më vonë nga faqja e dheut dhe nga kujtesa e tetovarëve.

Flas për Tetovën, kur në vend të Drenovcit të sotëm, ishin vreshtat e shumta, ku tetovarët vilnin vjeshtave të vona hardhitë e rrushit… Flas për Tetovën, kur stadiumi i qytetit ishte shumë “larg” shtëpive tona, kur fëmijët e ngratë pritnin me ethe para hekurave të dyerve të stadiumit që t’i lëshonin brenda pa biletë, së paku në pjesën e dytë të ndeshjes, për ta parë në fushën e gjelbër skuadrën e preferuar “Luboten”, vetëm pse kishte 2-3 futbollistë shqiptarë.

Tetovarët ishin krenarë me qytetin e tyre. Në sheshin e qytetit ishte një rrethrrotullim, ndërsa në mes një park përplot me lule e gjelbërim. Në pjesën lindore, pranë sheshit, ngrihej si nuse, e bardhë si bora, minarja e Xhamisë së Çarshisë, ndryshe e quajtur edhe Xhamia e Tupanit, me zyrat e Myftinisë, që u zhbënë nga hordhitë komuniste në vitin 1965.

Në krahun jugor të këtij vend-rrotullimi, ku nuk shihje me sy auto-veturë, në rrugën e njohur si e “Gostivarit”, që sot njihet si e “Ilindenit”, nja 500 metra tej, pranë Gjykatës së sotme, ishte terreni për sporte të vogla “Partizan”, ose i njohur ndër tetovarët e vjetër si “Sokollana”, ku kishte një objekt me sallë fizkulture, që u rrënua disa vite më parë për zgjerimin e bulevardit, si dhe terren basketbolli e volejbolli, që sot është një “auto-parking i egër” pranë gjykatës. Në fazën më të hershme, terreni ishte i shtruar me dhe të kuq, që shtypej e rrafshohej me një makinë të rëndë dhe stërpikej vazhdimisht me ujë, para ndeshjeve në basketboll dhe volejboll.

Në skuadrën tetovare të basketbollit, një kohë luanin Eshtref Emini, ish-drejtor i Shkollës së Mesme të Mjekësisë dhe Sheref Arsllani (i cili u shpërngul në Turqi më 1965). Kishte edhe mjeshtër të tjerë të basketbollit, shqiptarë, të cilët po ashtu u shpërngulën për në Anadoll. Në këtë terren, për herë të parë në Tetovë erdhi asfalti. Kjo Tetovë, asokohe, nuk e kishte Qendrën Sportive, e cila ishte lënë për shkatërrim, që më vonë edhe u rinovua, por në atë vend ishte vetëm një fushë me të mbjella bujqësore dhe kazerma e vjetër.

Flas për Tetovën, në të cilën shtëpitë e fundit, ato periferike, ishin diku deri tek lagjja “Potok”, në veri, ku kishte një ëmbëltore, me bozën e njohur tetovare, përderisa mjeshtri, një ditë, nuk treti me trenin për në Stamboll. Në këtë lagje, përskaj shtëpive të fundit, në vendin ku sot është Çerdhja e Fëmijëve ishte një park “i egër”, me shumë drunj të dendur.

Në Tetovë, e këtillë siç ishte, zhvillohej një jetë e gjallë në Çarshinë e Epërme, një lagje me tetovarë të vjetër, me çajtore e muhabete të pafundme, ndonëse shumë familje prej aty ishin shpërngulur për në Turqi. Në këtë lagje, në një shtëpi, pas disa gërmimeve të rastësishme, ishte zbuluar “Menada tetovare”, një figurë e vogël valltareje ilire prej bronzi, që nga pushteti i atëhershëm u përvetësua dhe u bë emblemë maqedonase, për të përfunduar imazhi i saj në bankënotat që i kemi sot. Në pjesën jugore të qytetit, shtëpitë e fundit nuk mbërrinin deri te varrezat. Sapo ishte formuar një lagje e re, pas Gjimnazit të Tetovës…

Flas për Tetovën kur mbi lumin Shkumbin kishte edhe dy ura harkore osmane prej guri, që u shembën nga komunistët. Në këtë lumë, verës, kur ende nuk dinim ku është Struga dhe Ohri, apo Ulqini, përgjatë gjithë rrjedhës laheshin kalamajtë tetovarë, duke ngritur barriera me gurë, të njohura si “çatma”. Në lokalitetin e ashtuquajtur “Yç adam boji” (një toponim turk për thellësinë e lumit prej tre pashësh), pranë një shkëmbi të lartë 5 metrash, në lakun e parë të rrugës për në “Banjishtë”, prej nga fëmijët e vegjël shikonin se si më të mëdhenjtë hidheshin me akrobacion në ato thellësi të ujit.

Tetova e asaj kohe kishte vetëm një fabrikë të madhe (tekstili), ku nxirrnin bukën edhe disa qindra shqiptarë, në punët më të rënda. Kjo fabrikë ishte “larg” qytetit, sepse shtëpitë e fundit arrinin diku deri te Shkolla e Tekstilit. Ishin autobusët e kaltër të fabrikës që i bartnin punëtorët në disa pjesë të qytetit dhe nëpër fshatra.

Flas për Tetovën e “ditëve të mia”…kur nuk kishte rrugë asfalti, por ato ishin të shtruara me kalldrëm. Rruga e quajtur e “Shkupit” përfundonte me shtëpitë diku pa mbërri tek Tregu i Gjelbër sot, ku ende ishin arat e mbjella me misër dhe me groshën e njohur tetovare. Pranë hekurudhës ishte Monopoli i duhanit. Tregu i gjelbër ishte në pjesën qendrore, ku sot është Kompleksi tregtar. Dita e pazarit nuk ishte të enjten, por të shtunën. Pranë “Pazarit” ishin barakat e kasapëve. Aty ruhej mishi i mirë për “naçallnikët” dhe inspektorët e komunës, kurse fukarenjve u jepej mishi me koc. Tetova ishte qytet, ku katundarët (sot qytetarë) vinin vetëm një herë në javë, në ditë pazari.

Në vendin e Bllokut Kirurgjik të Spitalit të sotëm Klinik, pranë shtëpisë së Halim Beut me stil barok, kishte një kopsht me pemë, ndërsa ngjitas ishte një ambient i mrekullueshëm, me drunj të lartë e me hapësira gjelbërimi që quhej “Kozlluk”, ku shkollat nxirrnin fëmijët në piknik. Aty pranë ende dukeshin mbeturinat e hekurudhës së trenit të vogël.

Stacioni i trenit ishte tepër larg nga shtëpitë. Trenin e vogël sapo e kishte zëvendësuar “treni i madh”, që shkonte disa herë në ditë për në Shkup dhe Gostivar. Në Shkup mbërrihej për një orë e gjysmë. Ndërsa për semaforë ende nuk kishim dëgjuar. Rrugëve rrallë kalonte ndonjë veturë. Por, në qytet mbaheshin shpesh gara me motorë, që ishin magnet për fëmijët. Ishte më i miri njëfarë xha Pero, i cili “fluturonte” me motorin e tij. Stacioni i autobusëve ishte te “unaza” e parë sot, pranë Pallatit të Kulturës. Nga stacioni i autobusëve nisej një autobus, shpesh me rimorkio, disa herë në ditë për në Shkup. Ishte i vetmi që qarkullonte në të dy drejtimet, deri në mbrëmje. Rruga për në Shkup ishte me asfalt, e ngushtë dhe me shumë lake, ajo rrugë të cilën sot e quajmë “rruga e vjetër e Shkupit”.

Flas për Tetovën e “ditëve të mia…”, kur kryefamiljarët apo fëmijët e tyre dilnin mëngjeseve me fshesë në dorë për ta pastruar rrugën nga pluhuri, secili përpara shtëpisë së vet, verës, ndërsa dimrit, me lopatë, mënjanonin borën e madhe, hapnin shtigje rruge.

Kur tetovarët ndodhte të shkonin në Shkup, që për ta ishte një përjetim i madh, për punë private apo nxjerrje dokumentesh, të lodhur nga endjet andej-këndej rrugëve pa fund, gjatë kthimit ofshanin nga lodhja dhe përmallimi: “Ah Tetovë…Tetovë, ku ka si ti!?”, dhe nga kjo dashuri e madhe atë e quanin “Parisi i vogël”.

Atëherë, Tetova shëmbëllente me “Plloshtadin” e ri sapo të ndërtuar, me tri-katër godinat pesëkatëshe banesore pranë tij, të quajtura “Çeshell”, ndërsa “korzoja” gjatë fundjavës ishte tepër e gjatë, që nga Xhamia e Sahatit deri te restoranti “Sirena”, që nuk ekzistonte asokohe. Megjithëqë tetovarët krenoheshin me sheshin e ri, ky u vodhi më të moshuarve imazhet e vjetra e aq të dashura, përplot kujtime. Në pjesën jugore të sheshit ishte godina e postës (që ende ekziston), ku kishte katër kabina me telefona dhe ku familjarët pritnin në radhë orë të tëra për të kontaktuar me të afërmit në kurbet.

Aty pranë, përkrah selisë së sotme të PDSH-së, ku kishte një qebaptore dhe dyqane të tjera zejtare, ishte edhe “Kino – Bahçja”, që hapej vetëm në ditët e verës, ku përtej mureve të shtëpive përreth, fëmijët mund të shikonin vjedhurazi ndonjë sekuencë nga filmat në ekranin e madh. Tetova kishte edhe dy salla të tjera kinemaje. Filmi ishte argëtimi i dytë i të rinjve tetovarë, pos daljes në “korzo”. Pranë “Kino – Bahçes” ishte ëmbëltorja “Opatia”, e njohur me bozën e saj. Më andej, te qoshqet për cigare të njohura si “trafika”, kishte një dyqan shteti për pajisje elektrike “Iskra”. Nga vitet 1958-1959 kishin prurë një televizor dhe e kishin ngjitur lartë në dritaren e katit të dytë, ku tetovarët e mahnitur nga kjo çudi e teknikës që po vinte, shikonin “me miza” programin televiziv italian.

Në Tetovën e “ditëve të mia”… nuk bënim politikë, s’dinim as ç’është politika. Atëherë dinim vetëm ç’është represioni. Por, zinxhirët e represionit ngadalë po këputeshin: filloi ndërtimi i një shkolle të re fillore, e cila sot quhet “Migjeni”, një tjetre “Istikball”, ajo e Gjimnazit e ndonjë tjetër.

Ishte fillimi i dhjetëvjetëshit të gjashtë të shekullit XX. Sapo kishin filluar shenjat e ndaljes së shpërnguljes për në Turqi. Nuk dëgjohej aq shpesh vaji i familjarëve që ndaheshin, si thoi nga mishi, nëpër stacione. U hapën në Tetovë paralelet e para pedagogjike për mësuesi, paralelet e para të mjekësisë…

Tetovarët, dalëngadalë, filluan ta hedhin tej zanatin e “sharrëxhinjve”, “leblebixhinjve”, “hallvaxhinjve”, për të marrë në sy botën e dijes universitare në Zagreb, Lubjanë e më tej, ndërsa një dhjetëvjetësh më vonë edhe në Prishtinë…(Nga libri “Tetova në dosjen e kohës”)

BURIMI: www.arsalbanica.mk